Skandal në kontratën e sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë – mungojnë mbi 1.1 milion euro

07.10.2025

Një analizë e detajuar e dokumenteve të kontratës për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” në Prishtinë ka zbuluar një gabim aritmetik të rëndë.

Kontrata e lidhur nga Komuna e Prishtinës dhe operatorëve ekonomik “SALILLARI” & “GJINI CONSTRUCTION SH.P.K.” & “HIDROTERM SH.P.K.” në shkurt të këtij viti në pozicionin e parë Sheshi i Katedralës 01 totali real i punimeve rezulton 4,055,233.04 euro, ndërsa në kontratë figuron vetëm 2,873,829.74 euro. Diferenca prej 1,181,403.30 euro ngre dyshime serioze mbi saktësinë e parallogarisë dhe transparencën e procesit të tenderimit.

Nga dokumentet e siguruara shihet qartë se disa nga pikat e pozicioneve kryesorë të kontratës janë llogaritur saktë individualisht, por totali përfundimtar në kontratë është shumë më i ulët se shuma e mbledhur. Vetëm punët ndërtimore arrijnë vlerën prej 2,182,088.90 euro, ndërsa punët e strukturës së katedrales kapin shumën 1,176,403.30 euro. Në të njëjtën kohë, punët përgatitore dhe ato të rregullimit të jashtëm tejkalojnë mbi 230 mijë euro së bashku.

Në faqen nr.19 të kontratës së publikuar nga Komuna e Prishtinës shihen qartë gabimet në kalkulimet e pozicioneve.

Pasi janë verifikuar të gjitha pozicionet e kontratës, rezulton se shuma reale tejkalon për më shumë se 1.1 milion euro totalin zyrtar. Ky nënvlerësim në dokumentin bazë të kontratës hap dyshime për devijime të qëllimshme që ndikojnë në vlerën reale të projektit.

Totali i deklaruar në kontratë për pozicionin 1: 2,873,829.74 euro
Totali real i mbledhur saktë: 4,055,233.04 euro
Diferenca: 1,181,403.30 euro

Pas shtimit të diferencës prej 1,181,403.30 € në totalin e deklaruar të kontratës 18,162,896.19 €, rezulton se vlera reale e projektit del të jetë 19,344,299.49 €.

Nëse këto të dhëna konfirmohen nga auditimi financiar dhe teknik, rezulton se kontrata për ndërtimin e Sheshit “Xhorxh Bush” është nënvlerësuar me mbi një milion euro, duke hapur mundësinë për keqinformim financiar dhe pagesa shtesë jashtë kontratës. Ky rast kërkon verifikim të menjëhershëm nga institucionet komunale, prokuroria dhe Zyra Kombëtare e Auditimit, për të siguruar që asnjë cent nga buxheti publik të mos shpenzohet në mënyrë të paarsyeshme.

Sipas ekspertëve, kjo mospërputhje nuk është një gabim i zakonshëm teknik, por një problem serioz që mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për integritetin e procesit të prokurimit publik dhe menaxhimin e fondeve të qytetarëve.

Ndryshe në maj të këtij viti Insajderi kishte raportuar se “Gjini Construction” dhe “Hidroterm”. Të dyja këto kompani janë të lidhura me familjarë të Blerim Kuçit, ish-kryetar i Suharekës nga AAK-ja i aderuar muaj më parë në degën e LDK-së në Suharekë. Pronar i “Gjini Construction” sh.p.k është kompania “Hidroterm Holding”.

“Hidroterm Holding” është regjistruar në ARBK, më 6 nëntor 2024. Pronarë të saj janë familjarët e ish-kryetarit të Suharekës, Blerim Kuçi.

Konkretisht, pronarët janë djali i Blerimit, Genc Kuçi, me 71.97% të aksioneve, vajza e tij, Blerta Kuçi, me 22.73%, dhe dhëndri i Blerimit, Nol Paloka – bashkëshorti i Blertës – me 5.30%.

Gjithashtu, në konsorcium me kompaninë “Salillari” dhe “Gjini Construction” është kompania “Hidroterm” sh.p.k., e themeluar nga vetë Blerim Kuçi, e cila gjithashtu është në pronësi të “Hidroterm Holding”.