Sindikatat të gatshme për dialog me Qeverinë

12.12.2021

Nga këto dy sindikata kërkojnë miratimin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, si dhe ngritjen e pagës minimale. Në rast të mos përmbushjes së këtyre kërkesave, sindikalistët paralajmërojnë protesta dhe greva. Pohimi i kryeministrit Albin Kurti, se është mirë që të ketë ndryshime nëpër sindikata, po konsiderohet i pa pranueshëm nga përfaqësues sindikal, të […]

Sindikatat të gatshme për dialog me Qeverinë Foto: Ilustrim

Nga këto dy sindikata kërkojnë miratimin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik, si dhe ngritjen e pagës minimale. Në rast të mos përmbushjes së këtyre kërkesave, sindikalistët paralajmërojnë protesta dhe greva.

Pohimi i kryeministrit Albin Kurti, se është mirë që të ketë ndryshime nëpër sindikata, po konsiderohet i pa pranueshëm nga përfaqësues sindikal, të cilët thonë se nuk do të lejojnë ndërhyrjen e kryeministrit dhe të askujt në punët e tyre. Por, përkundër përplasjeve verbale të ditëve të fundit, kreu  i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, pohon se janë të gatshëm për vazhdimin e dialogut, me qëllim të realizimit të kërkesave sindikale,  si më kryesorin, miratimin e Ligjit të Pagave në Sektorin Publik.  

“Edhe pas deklaratës së zotit Kurti, ne nuk do të mbajmë hidhërim. Do të vazhdojmë të insistojmë për dialog. Kemi pasur takime edhe me shefat e grupeve parlamentare, që t’i lusim dhe të kërkojmë nga ata që angazhohen që në ligjin për buxhet për vitin e ardhshëm të jetë edhe pjesa e planifikuar për implementimin e Ligjit të Pagave, me shpresë se ministri Sveçla dhe Qeveria do ta mbajnë fjalën dhe ne do ta kemi këtë ligj në pjesën e parë të vitit 2022”, tha ai.

Tutje, Jasharaj thotë se nëse deri në fund-mars të 2022-tës nuk do të ketë lëvizje pozitive nga Qeveria, atëherë mund të ketë protesta e grevave.

Edhe Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, thotë se përkundër fërkimeve me Qeverinë, dialogu duhet vazhduar. Për këtë sindikatë, prioritet është ngritja e pagës minimale.

“Ministria e Financave deri tash është dashtë me dalë me një propozim para kryeministrit për pagën minimale e cila nuk është ndryshuar që nga viti 2011. Dhe tani, është shumë e vërtetë që sindikatat dhe punëtorët e kanë një më të lartë. A e dini pse? Sepse ka pasur premtime dhe pritjet kanë qenë shumë më të mëdha se sa të qeverive të tjera dhe faktikisht, deri tash, realizimi, sidomos në sektorin privat është i barabartë me zero” tha ai. 

Në lidhje me komunikimin që kanë me sindikatat, caktimin e pagës së re minimale dhe miratimin e Ligjit te Pagave në Sektorin Publik, Radio Kosova, ka pyetur Zyrës së Kryeministrit, por, përkundër pritjes disa ditore, deri në përgatitjen e këtij materiali nuk ka pranuar përgjigje./RadioKosova/