Sinani: “Shqiptarët e Preshevës nuk do të pranojnë të trajtohen si qytetarë të dorës së dytë”
Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas vizitës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Preshevë, duke kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët dhe investime të njëjta edhe në zonat e banuara me shqiptarë.
Sinani ka deklaruar se Komuna e Preshevës nuk është kundër asnjë investimi që përmirëson jetën e qytetarëve, por ka ngritur shqetësimin për, siç tha ajo, standardet e ndryshme në investimet e institucioneve qendrore.
“Presheva nuk mund të ketë dy standarde”, ka theksuar Sinani, duke përmendur investimet dhe projektet e Komunës në Mamincë, Strezoc, Svinjishtë dhe vendbanime të tjera.
Ajo ka thënë se Komuna ka kërkuar zyrtarisht investime nga institucionet qendrore për Shkollën “Prof. Ibrahim Kelmendi”, shkollën në Mamincë, çerdhen “8 Marsi” dhe projekte të tjera.
“Pse qytetarët shqiptarë duhet të presin me vite për përgjigje, projekte dhe investime nga institucionet qendrore?”, ka pyetur Sinani.
Kryetarja e Preshevës ka bërë thirrje për bashkëpunim me institucionet e Serbisë, por ka theksuar se komuna nuk do të heshtë për çështjet që lidhen me barazinë dhe trajtimin e qytetarëve.
“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë barazi. Nuk kërkojmë më shumë se të tjerët. Kërkojmë të mos marrim më pak”, ka deklaruar ajo.
Sinani ka përmendur se në Preshevë jetojnë shqiptarë, serbë, romë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera, duke theksuar se të gjithë duhet të kenë mundësi të barabarta për zhvillim.
“Shqiptarët e Preshevës janë këtu. Janë qytetarë. Kanë nevoja. Kanë të drejta”, ka përfunduar kryetarja e Komunës së Preshevës.
