Shqiptarët e Luginës së Preshevës përfitojnë të drejta pronësore në Kosovë

para 41 dite

Ndryshimet e miratuara në Ligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj kanë hyrë në fuqi, duke u mundësuar bashkëkombasve tanë nga Lugina e Preshevës që të bëhen titullarë të të drejtave pronësore në territorin e Kosovës, sipas kushteve të përcaktuara nga ky ligj.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës përfitojnë të drejta pronësore në Kosovë Foto: Balkan Insight

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka përshëndetur këtë vendim si një hap historik dhe shumë të rëndësishëm për mbështetjen e qytetarëve shqiptarë nga Lugina.

“Sot është një ditë e veçantë për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë në Kosovë. Ky vendim jo vetëm që lehtëson jetën e shumë qytetarëve, por gjithashtu forcon lidhjet tona kombëtare dhe shpreh solidaritetin midis shqiptarëve kudo që janë,” ka deklaruar Sinani.

Sipas ndryshimit të fundit në Ligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj, personat fizikë dhe juridikë nga komuniteti shqiptar që banojnë në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë të drejtë të zotërojnë prona në Kosovë. Ky ndryshim përjashton parimin e reciprocitetit, duke u dhënë një mundësi unike shqiptarëve nga Lugina për të ushtruar të drejtat e tyre pronësore në mënyrë më të lehtë.

Kryetarja Sinani ka shprehur mirënjohje të veçantë për Qeverinë e Kosovës, Kryeministrin Albin Kurti, Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës për përpjekjet e tyre në miratimin e këtyre ndryshimeve ligjore.

“Ky akt është një tregues i qartë i përkushtimit të Kosovës për të mbështetur të drejtat e bashkëkombasve tanë dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë,” ka shtuar Sinani.

Ligji i ndryshuar tashmë është shpallur nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe ka hyrë në fuqi më 30 nëntor 2024, duke shënuar kështu një moment historik për shqiptarët e Luginës.

Etiketat

Ofertat e fundit