Sigurisë së kufirit, Gjermania premton skanerë me rreze X, por mbërritja pritet në 2026

03.04.2025

Pas sulmit terrorist në Banjskë dhe sasisë së madhe të armatimit të kapur në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës vendosi të kufizojë hyrjen e kamionëve nga Serbia.

Në përgjigje të kërkesave të aleatëve, masa u ndryshua në “kontroll të shtuar”, me premtimin e Gjermanisë për të siguruar skanerë për kontrolle më efektive kufitare.

Megjithatë, mbërritja e skanerëve gjermanë pritet në tre muajt e parë të vitit 2026, sipas Ambasadës Gjermane. Procesi i prokurimit është kompleks dhe kërkon kohë, duke përfshirë vlerësime të plota për zgjidhjet më efektive.

Ambasada Gjermane thekson angazhimin e Gjermanisë për të mbështetur Kosovën në forcimin e sigurisë kufitare dhe bashkëpunimin me GIZ-in, institucionet kosovare, BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.

Përveç skanerëve, Ambasada Gjermane sugjeron masa shtesë për të lehtësuar lëvizjen e mallrave në kufi, duke sjellë përmirësime të menjëhershme për kompanitë kosovare, gjermane dhe ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti kishte theksuar interesin e Gjermanisë për të ndihmuar Kosovën me skanerë, pas vizitës në Hamburg në qershor 2024.