Shtrenjtimi i Energjisë Elektrike alarmon bizneset: Rrezik për rritje çmimesh deri në 30%
Vendimi i fundit për shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë ka ngjallur shqetësime të mëdha në mesin e pronarëve të bizneseve.
Foto: Ilustrim
Sipas tyre, kjo rritje prej 16.1% do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në koston e prodhimit, duke rrezikuar ngritjen e çmimeve të produkteve deri në 30%. Ndërkohë, Këshilli i të Drejtave të Njeriut ka bërë thirrje për rritje paralele të pagave për të zbutur goditjen ndaj qytetarëve.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike pritet të ketë efekte zinxhir në ekonomi. Pronarët e bizneseve theksojnë se përveç rritjes së kostos së energjisë për operacionet e tyre, do të ketë edhe një ndikim indirekt prej rreth 16% si pasojë e shtrenjtimit të lëndës së parë. Kjo do të thotë që kostoja totale e prodhimit mund të rritet ndjeshëm, duke detyruar bizneset të rrisin çmimet e shitjes për konsumatorët.
Produktet ushqimore pritet të jenë ndër të parat që do të preken nga kjo rritje. Është paralajmëruar se çmimi i bukës mund të shkojë deri në 80 centë. Labinot Talla, pronar i një fabrike mishi, shprehet i shqetësuar për rritjen e mundshme të çmimit të mishit deri në 30%. Ai shpjegon se “16% është ndikimi direkt. Pastaj ndikimet indirekte janë edhe për 16% të tjera sepse lënda e parë shtrenjtohet për 16% këto janë zinxhir landën e parë e blejë ma shtrejt, pastaj e paguan edhe faturën e rrymës dhe në fund këto shkojnë në çmim final të produktit”.
Përveç tregut vendor, bizneset kosovare shprehin shqetësimin edhe për konkurrencën në tregjet e huaja. Arbnora Musliu, përfaqësuese e një kompanie që prodhon metal, thekson se 95% e prodhimit të tyre shkon për tregun evropian. Ajo paralajmëron se nëse vendet e rajonit si Shqipëria dhe Serbia nuk kanë shtrenjtim të energjisë elektrike, produktet e tyre do të jenë shumë të shtrenjta dhe rrezikojnë të mos shiten. “Mua çmimi më rritet aq sa është rritë energjia elektrike, unë prodhojë metal 95% të tregut e kam në Evropë dhe krejt punët më duhet t’i kryej me energji elektrike. Nëse Serbia nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike, Shqipëria nuk ka shtrenjtim të energjisë elektrike produkti jem humb në tregjet Evropiane sepse bëhet shumë i shtrenjtë”, deklaroi Musliu.
Vendimi i ZRrE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike ka shkaktuar reagime të ashpra dhe protesta nga qytetarët. Pavarësisht dy protestave të mbajtura në Prishtinë, rritja e çmimit u miratua. Si pasojë, iniciativa qytetare “grupi asnjë cent ma shumë” ka organizuar edhe një protestë tjetër të shtunën.
Në këtë situatë, Këshilli i të Drejtave të Njeriut, përmes kryetarit të tij Behxhet Shala, ka kërkuar që të ketë një indeksim të pagave në mënyrë që qytetarët të përballojnë rritjen e çmimeve. “Të bëhet indeksimi i pagave. Nuk mundet të shtrenjtohet buka 80 cent çmimi i rrymës për aq sa po shtrenjtohet e pagat të mbesin. Qytetarët duhet të protestojnë”, u shpreh Shala.
Sipas vendimit, pas datës 1 maj, qytetarët që shpenzojnë deri në 800 kilovat energji elektrike do të paguajnë 9.05 centë për kilovat, nga 7.79 centë sa paguajnë aktualisht. Ndërsa ata që shpenzojnë mbi 800 kilovatë, çmimi do të rritet nga 14.45 centë në 15.43 centë për kilovat.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike paraqet një sfidë të madhe për ekonominë e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve. Rritja e mundshme e çmimeve mund të ulë fuqinë blerëse dhe të ndikojë negativisht në standardin e jetesës. Mbetet të shihet se cilat masa do të ndërmerren për të zbutur këto efekte dhe për të siguruar një stabilitet ekonomik./RTV21