Oda Ekonomike fiton padinë ndaj ZRRE-së, Supremja merr vendim në favor të konsumatorëve
Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar disa nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, duke aprovuar kështu kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Foto: Ilustrim
Në komunikatën e saj, Supremja ka theksuar se mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe atyre nënligjore kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike. Konkretisht, janë shfuqizuar neni 8 i Udhëzuesit të datës 18 janar 2017 dhe neni 2 i Udhëzuesit për Ndryshimin dhe Plotësimin e këtij udhëzuesi.
Gjykata ka argumentuar se dispozitat kontestuese kanë krijuar paqartësi për konsumatorët, sidomos për ndarjen ndërmjet atyre që gëzojnë të drejtën e furnizimit universal dhe atyre që duhet të kalojnë në tregun e lirë. Sipas Supremes, kjo situatë ka cenuar parimin e sigurisë juridike dhe të trajtimit të barabartë në tregun e energjisë elektrike.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se Kosova, si palë nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, është e detyruar të harmonizojë legjislacionin energjetik me direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian. Çdo interpretim që përjashton kontrollet gjyqësore mbi aktet nënligjore që prodhojnë efekte faktike dhe juridike do të cenonte të drejtën për mjet juridik efektiv, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka interpretuar dispozitat ligjore në favor të mbrojtjes së konsumatorëve, duke theksuar se udhëzuesit e shfuqizuar kanë prodhuar pasiguri dhe pengesa për funksionimin e drejtë të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.