Shtesa prej 60 eurove, reagon edhe Oda e Infermierëve: Kjo është ofenduese për punëtorët shëndetësorë

25.08.2021

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrur vendim për ndarjen e 2.7 milionë eurove për stafin mjekësor. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është vendosur që stafi mjekësor të ketë rritje page për 3 muaj. Paga shtesë do të jetë jo më pak se 60 euro dhe të vlejë për muajt gusht, shtator […]

Shtesa prej 60 eurove, reagon edhe Oda e Infermierëve: Kjo është ofenduese për punëtorët shëndetësorë Foto: Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrur vendim për ndarjen e 2.7 milionë eurove për stafin mjekësor.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, është vendosur që stafi mjekësor të ketë rritje page për 3 muaj.

Paga shtesë do të jetë jo më pak se 60 euro dhe të vlejë për muajt gusht, shtator e tetor të këtij viti.

“Qeveria ndan 2,7 milionë euro për zbatimin e masës 4.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Me anë të këtij propozim-vendimi mbështetet stafi mjekësor në sektorin publik me pagë shtesë prej 10% të pagës së rregullt bruto, jo më pak se 60 euro, për muajt gusht, shtator dhe tetor të vitit 2021” thuhet në njoftim.

Për këtë vendim, Qeverisë i ka reaguar edhe Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetesorë.

Kjo Odë e Infermierëve kanë thënë se janë të indinjuar thellë me vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Oda e Infermierëve ka thënë se shuma e ndarë është ofenduese për punonjësit shëndetësorë të cilët po punojnë në kushte shumë të rënda.

Reagimi i plotë:

Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë Shëndetesorë është e indinjuar thellë me vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ndarjen e shtesave në vlerë prej 60 eurove për punonjësit shëndetësorë.

Kjo shumë, pos tjerash është ofenduese për punonjësit shëndetësorë të cilët po punojnë në kushte shumë të rënda në përballje me virusin Covid 19.

Kosova edhe ashtu po përjeton një dramë të largimit të infermierëve dhe kjo qasje e Qeverisë vetëm shton nënvlerësimin karshi tyre dhe i kontribuon klimës së largimit të punonjësve shëndetësorë nga Kosova.

Si OIK kërkojmë nga institucionet që të rishqyrtojnë shumën e shtesave, të punojnë në motivimin e punonjësve dhe t’u ofrohen kushte më të mira të punës.