SBASHK-u paralajmëron grevë nëse s’plotësohen kërkesat e tyre

28.03.2022

Greva për një kërkesë të tillë si ligji i pagave nga SBASHK-u kishin paralajmëruar edhe disa muaj më heret, por që i kishin dhënë afate Qeverisë së Kosovës. Drejtues të kësaj sindikate kanë theksuar se nga ana e Qeverisë nuk ka gatishmëri për të diskutuar me ta lidhur me kërkesat e tyre. Në mënyrë që […]

Greva për një kërkesë të tillë si ligji i pagave nga SBASHK-u kishin paralajmëruar edhe disa muaj më heret, por që i kishin dhënë afate Qeverisë së Kosovës.

Drejtues të kësaj sindikate kanë theksuar se nga ana e Qeverisë nuk ka gatishmëri për të diskutuar me ta lidhur me kërkesat e tyre.

Në mënyrë që të evitohet greva, njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se sindikata në fjalë duhet që t’i shterojë të gjitha mundësitë.

Pas një kohë të gjatë dhe kërkesave të shumta nga sindikatat, Qeveria ende nuk e ka bërë publik versionin final të Ligjit për Paga.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashari, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se pas kongresit të Sindikatës se Arsimit, i cili pritet të mbahet me 2 prill, i tërë sistemi arsimor rrezikohet të shkojë në grevë. E kjo situatë mund të vijë si pasojë e mos gatishmërisë se qeverisë për zgjidhjen e kërkesave të sindikatës dhe mos publikimin e versionit final për Ligjin e Pagave, tha Jasharaj.

 “Heshtja e Qeverise dhe mosgatishmëria që të takohet  për të biseduar shtruar me SBSHAK-un dhe sindikatat pas 2 prillit, sistemi arsimor pritet të marrë veprime sindikale. Nuk përjashtohet mundësia për  grevë të përgjithshme e cila do ta paralizojë tërë sistemin arsimor”, tha Jasharaj për RadioKosovën.

Po ashtu, Jasharaj tha se pas vonesave të shumta që janë duke ndodhur në Ligjin e Pagave dhe rritjes se çmimeve, sindikata ka kërkuar nga Qeveria që të ndahen nga 100 euro për punëtorët arsimorë deri në zbatimin e ligjit, por as kjo nuk ka ndodhur.

“Ne, duke e parë se mund të ketë vonesa në projektligjin e pagave kemi bërë një kërkesë zyrtare që qeveria të ndihmojë me nga 100 euro shtesë punëtorët e sistemit arsimor. Por as kjo nuk ndodhur”, shtoi Jasharaj.

Rinor Qehaja, nga instituti “Edguard”, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se  nxënësit kanë humbur shumë në procesin e mësimnxënies dhe çdo humbje tjetër do t’i dëmtojë ata edhe më shumë.

 “Shpresoj shumë që SBASHK t’i shtjerë mjetet e tjera sindikale dhe asnjëherë të mos konsiderojë grevën në mësimdhënie si opsion, nxënësit tashmë kanë humbur shumë në proces të mësimnxënies dhe çdo humbje tjetër do të ishte e padrejtë dhe e pa tolerueshme”, tha Qehaja.