Rritja e pensioneve hyn në fuqi — pagesat ekzekutohen sot
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se nga ky muaj hyn në fuqi rritja e pensionit minimal, i cili nga 120 euro bëhet 150 euro në muaj.
Sipas tij, kjo rritje është pjesë e angazhimit për të përmirësuar mirëqenien sociale të qytetarëve me të ardhura më të ulëta.
Në një deklaratë për media, Kurti bëri të ditur se sot janë ekzekutuar edhe pagesat e rritura për pensionet bazike dhe për pensionet e personave me aftësi të kufizuara.
“Nga ky muaj, pensioni minimal prej 120 euro bëhet 150 euro në muaj. Kurse sot, me rritjen e paraparë, janë ekzekutuar pensionet bazike dhe pensionet për personat me aftësi të kufizuara. Rritjen ekonomike dhe të buxhetit të shtetit po e rishpërndajmë me ata që kanë më së shumti nevojë”, ka deklaruar Kurti.

Rritja e pensioneve vjen në një kohë kur grupet sociale kanë kërkuar mbështetje më të madhe përballë kosto-ve të jetesës, ndërsa Qeveria në detyrë thotë se ky hap është pjesë e orientimit për një sistem më të drejtë shpërndarjeje të burimeve publike.
Institucionet pritet të bëjnë të ditura në ditët në vijim edhe masat e tjera që parashihen për mbështetjen sociale dhe ekonomike të qytetarëve.