Rreth 25 mijë e 500 familje përfitojnë asistencë sociale në Kosovë

06.01.2022

Skema e ndihmës sociale ofron ndihmë të përkohshme financiare familjeve të cilat janë në varfëri dhe janë të përzgjedhura në përputhje me kriteret e parapara në ligj dhe në bazë të mjeteve të ndara për këtë qëllim nga Buxheti i Kosovës. Për të realizuar të drejtën në ndihmë sociale, të gjithë anëtarët e familjes duhet […]

Rreth 25 mijë e 500 familje përfitojnë asistencë sociale në Kosovë Foto: Ilustrim

Skema e ndihmës sociale ofron ndihmë të përkohshme financiare familjeve të cilat janë në varfëri dhe janë të përzgjedhura në përputhje me kriteret e parapara në ligj dhe në bazë të mjeteve të ndara për këtë qëllim nga Buxheti i Kosovës.

Për të realizuar të drejtën në ndihmë sociale, të gjithë anëtarët e familjes duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës dhe t’i plotësojnë kushtet për kategorizim në njërën prej kategorive të përcaktuara me ligj. Përjashtimisht, shfrytëzues të ndihmës sociale, mund të jenë edhe shtetasit e huaj të cilët: kanë leje qëndrimi në Kosovë, personat në cilësinë e azilkërkuesit, personat në cilësinë e refugjatit dhe personat të cilët gëzojnë mbrojtje të përkohshme dhe plotësuese.

Të drejtën në ndihmë sociale në kategorinë e parë e realizon familja në të cilën të gjithë anëtarët e familjes janë të varur sipas përkufizimit të dhënë më poshtë te person i/e varur dhe asnjëri prej tyre nuk është i punësuar.

Shuma mujore e ndihmës sociale e cila iu paguhet familjeve në varfëri ndryshon, sa më i madh që të jetë
numri i anëtarëve të familjeve si në vijim:

Familjet sipas numrit të anëtarëveShuma në €
Familja me një (1) anëtarë60,00
Familja me dy (2) anëtarë82,50
Familja me tre (3) anëtarë90,00
Familja me katër (4) anëtarë 97,50
Familja me pesë (5) anëtarë 105,00
Familja me gjashtë (6) anëtarë 112,50
Familja me shtatë (7) anëtarë 120,00
Familja me tetë (8) anëtarë127,50
Familja me nëntë (9) anëtarë 135,00
Familja me dhjetë (10) anëtarë 142,50
Familja me njëmbëdhjetë (11) anëtarë 150,00
Familja me dymbëdhjetë (12) anëtarë 157,50
Familja me trembëdhjetë (13) anëtarë 165,00
Familja me katërmbëdhjetë (14) anëtarë 172,50
Familja me pesëmbëdhjetë (15) anëtarë 180,00

Rreth 25 mijë e 500 familje me mbi 100 mijë anëtarë janë përfituese të asistencës sociale në vend. Mitrovica ka numrin më të madh të familjeve përfituese të skemës sociale, ndërsa nëse llogaritet me kokë banori, atëherë në Obiliq çdo i gjashti banor është përfitues i kësaj skeme. Nga shteti kërkohet që përfituesit e skemës sociale të shtyhen drejt tregut të punës, duke i aftësuar gjatë kohës që ndihmohen financiarisht.

Udhëheqësja e Divizionit për Asistencë Sociale në Qeverinë e Kosovës, Selvete Sadiku thotë për KosovaPress se ndihma u ofrohet vetëm familjeve që plotësojnë kriteret sipas Ligjit të skemës së ndihmës sociale.

“Bazuar në të dhënat të cilat i kemi analizuar së fundi edhe të dhënat të cilat në agjencionin e statistikave dhe Ministrisë së Punës, Financave dhe Transfereve. Komuna e cila ka me së shumti familje përfitues është e Mitrovicës, ajo prin me numër të madh të familjeve. Mirëpo në qoftë se i krahasojmë për kokë banori është diku Obiliqi i cili ka pothuajse çdo të gjashtin banor përfitues të skemës sociale, Mitrovica çdo të shtatin, Lipjani çdo të dhjetin. […] Prishtina bën pjesë në grupin e komunave që është në pjesën mesatare sepse në Prishtinë çdo i 39 banor i bie që të jetë përfitues i skemës së ndihmës sociale përderisa kushtet me të mira në relacionet me të mira i ka Prizreni ku është diku rreth 69 banor e ka një përfitues të skemës sociale”, thekson Mujku.

Erblin Hoxha nga Lëvizja Fol thotë se papunësia në Kosovë mbetet shqetësim që nga paslufta. Sipas tij, 20 përqind e popullatës jetojnë në varfëri të skajshme dhe shteti ka dështuar të merret me këtë kategori dhe të ulë këtë përqindje.

“Në Kosovë mbetet ende shqetësim që pothuajse 20 përqind e popullatës është në varfëri të skajshme që i bie që kanë me pak se 2 euro të ardhura shpenzime ditore, pra në rastet edhe me ekstreme edhe më pak se 1 euro në ditë. Pra kjo statistikë gjatë 10-15 viteve të fundit nuk është që ka ndryshuar shumë edhe kjo i bie që edhe nëse ka ndryshime demografike në numrin e të punësuarve në sektor të ndryshëm. Në praktik shtresa që rrezikohet më së shumti nga varfëria dhe papunësia nuk është duke u trajtuar prandaj edhe ende kemi një statistikë të njëjtë që 10 vite pothuajse sa i përket numrit të personave që jetojnë në varfëri të skajshme”, thotë Hoxha.