Roth: Nëse shteti serb qëndron pas sulmit në Zubin Potok, kjo shënon fundin e negociatave me BE-në
Kryetari i Komitetit për Çështjet e Jashtme të Parlamentit të Gjermanisë, Michael Roth, ka dënuar me forcë sulmin në kanalin e ujit Ibër-Lepenc në Kosovë, duke e cilësuar atë si një “akt terrorist”.
Në një reagim të shpejtë në platformën X, Roth ka theksuar se metodat e përdorura në sulm janë tipike për taktikat terroriste ruse. “Këto janë metoda terroriste ruse kundër një shteti sovran në zemër të Evropës”, ka shkruar Roth, duke shtuar se “këto sulme duhet të hetohen në thellësi”.
Deputeti gjerman ka shkuar më tej, duke lidhur drejtpërdrejt këtë akt me procesin e integrimit evropian të Serbisë. “Nëse Serbia vërtet është pas kësaj, gjë që shpresoj të mos jetë, kjo do të shënonte fundin e negociatave të BE-së me Serbinë”, ka deklaruar Roth, duke nënvizuar seriozitetin e situatës dhe pasojat e mundshme të këtij akti.
Deklarata e Rothit vjen pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi mbrëmë në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe duke rrezikuar furnizimin me ujë të disa qyteteve. Autoritetet e Kosovës kanë ngritur një hetim për të zbuluar autorët e këtij akti dhe motivet e tyre.