Kasanof: SHBA mbështet Kosovën në hetime dhe dialog me Serbinë
Përfaqësuesi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Alexander Kasanof, ka dënuar me fjalët më të forta të mundshme sulmin terrorist që ndodhi më 29 nëntor në veri të Kosovës, ku një shpërthim dëmtoi rëndë infrastrukturën e furnizimit me ujë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kasanof e cilësoi këtë akt si “të tmerrshëm” dhe theksoi se synon vetëm të krijojë destabilitet në rajon. “Akte të tilla janë jo vetëm të tmerrshme, por janë ndërtuar qartësisht për të krijuar destabilitet dhe i refuzojmë në mënyrën më të fortë,” deklaroi ai.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për Kosovën në hetimet e këtij akti terrorist. “Po e ndihmojmë Kosovën dhe qeverinë e Kosovës që të kryejnë hetimin. Kemi vënë në dispozicion burime për këtë qëllim dhe mendojmë se është me rëndësi kritike që çdo hetim të ndjekë faktet në terren dhe të jetë i besueshëm,” shtoi Kasanof.
I pyetur për ndikimin e një administrate të re në Uashington dhe marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës, Kasanof theksoi se mbështetja për Kosovën do të jetë e vazhdueshme. Ai vuri në dukje rëndësinë e përparimit në dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se SHBA do të vazhdojë të jetë një partner i fuqishëm për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.
“Do të vazhdojmë t’u kërkojmë të dyja qeverive që të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur përparim në këtë proces,” përfundoi Alexander Kasanof, duke riafirmuar angazhimin e SHBA-së për një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.