Rizvanolli: KEK furnizon përkohësisht ndërmarrjet në tregun e lirë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në rolin e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), ka filluar të furnizojë të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike dhe nuk kanë arritur të nënshkruajnë kontrata furnizimi.
Sipas njoftimit të KEK-ut, energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme, 1 qershor 2025, është siguruar me një çmim mesatar prej 64.55 € për megavat orë (MWh) përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
Ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje ndërmarrjeve që sa më shpejt të jetë e mundur dhe brenda afateve ligjore, të nënshkruajnë marrëveshje furnizimi me KEK-un si FMF, ose të gjejnë furnizues alternativ në treg.
KEK ka bërë të ditur se është në dispozicion për të ofruar informacione të nevojshme lidhur me furnizimin përmes mekanizmit të FMF-së.
Rizvanolli ka theksuar se presin nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) që të monitorojë tregun me përpikëri dhe të ndihmojë të gjitha palët e interesuara për një tranzicion sa më të lehtë. Ajo ka siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të ndihmojë ndërmarrjet që tashmë janë pjesë e tregut të lirë, në mënyrë që të marrin vendimet më të favorshme për bizneset e tyre.
Në fund të postimit, Ministrja Rizvanolli ka theksuar se sa më shpejt që ndërmarrjet të informohen saktë, aq më i lehtë dhe më i shpejtë do të jetë procesi i tranzicionit për to.