Refuzohet padia e serbit që kërkonte 60 mijë euro kompensim nga Komuna e Suharekës për banesën e djegur gjatë luftës

19.12.2025

Gjykata Themelore në Prizren, dega në Suharekë, ka refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e paditësit M.S nga Llopova, Serbi, për kompensim dëmi material në vlerë prej 60,000 euro ndaj Komunës së Suharekës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Refuzohet padia e serbit që kërkonte 60 mijë euro kompensim nga Komuna e Suharekës për banesën e djegur gjatë luftës Foto: Gjykata Themelore e Prizrenit dega Suharekë / SuharekaOnline

Çështja lidhej me pretendimin e paditësit se, gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, banesa e tij në lagjen Shirokë të Suharekës ishte shkatërruar dhe pronësia e tij ishte dëmtuar. Paditësi kishte kërkuar që të paditurat të paguanin në mënyrë solidare shumën e dëmit dhe shpenzimet e procedurës gjyqësore.

Gjykata, pas shqyrtimit të provave dhe dëgjimit të palëve, vlerësoi se kompensimi i dëmit nuk mund të mbahej mbi Komunën e Suharekës dhe Qeverinë e Kosovës, pasi përgjegjësia për rendin dhe sigurinë gjatë asaj periudhe ka qenë e UNMIK-ut dhe KFOR-it, sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjithashtu, gjykata konstatoi se padia ishte parashtruar jashtë afatit ligjor të parashkrimit.

Sipas vendimit të gjykatës, secila palë bart shpenzimet e veta procedurale. Gjykata e vlerësoi gjithashtu se dëmtimi i pretenduar nuk ishte provuar dhe se legjitimiteti material i të paditurave për këtë çështje mungonte.

“REFUZOHET në tërësi e pa bazuar kërkesëpadia e paditësit M.S nga S, tani me vendbanim në Rr. “Karagjorgjeva” nr.234, Llopovë, Serbi, me të cilën ka kërkuar që: “të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësit M.S nga S, të obligohen të paditurit Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Suharekës, në mënyrë solidare t’i paguajnë paditësit shumën prej 60,000.00 euro në emër të dëmit material të shkaktuar, si dhe t’ia kompensojnë shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 1,754 euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënimin e përmbarimit të detyruar”.” thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Gjyqtari Selajdin Gallapeni, me bashkëpunëtorin profesional Labinot Demiraj, ka vendosur që kërkesëpadia të refuzohet në tërësi. Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit.

Ky vendim vjen pas një procesi të gjatë juridik që ka nisur me padinë origjinale të paditësit dhe shqyrtimin e saj nga gjykata në Suharekë dhe më pas nga Gjykata e Apelit, e cila kishte rikthyer çështjen për rishqyrtim.

Pretendimet e paditësit


Paditësi në padi ka theksuar se, është pronar i banesës në objektin banesor numër 30 në Shirokë,
komuna Suharekë, me sipërfaqe prej 41.75 m², ku deri në ardhjen e forcave ndërkombëtare në
Kosovë, paditësi me familjen e tij pa pengesa e gëzuan pasurinë e patundshme në fjalë, kur nga
frika për sigurinë e familjes së tij, ai u largua nga Kosova, duke lënë pasurinë e paluajtshme në
gjendje të përdorshme dhe funksionale. Megjithatë, pas arritjes së KFOR-it në Kosovë, banesa e
paditësit u shkatërrua plotësisht, me këtë ka pësuar dëm në shumën prej 60,000.00 euro, ku
paditësi mësoi për këto fakte atëherë kur e mori shkresën nga HPD-ja me datën 16.01.2004.
Andaj, i ka propozuar gjykatës që të aprovojë në tërësi kërkesëpadinë e tij dhe të obligohen të
paditurat t’ia kompensojnë në mënyrë solidare shumën prej 60,000.00 euro, me kamat ligjore
nga dita e paraqitjes së padisë.
Paditësi gjatë shqyrtimeve gjyqësore si dhe në fjalën e tij përfundimtare ka theksuar se, qëndron
në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke theksuar se, e paditura e parë dhe e dytë e kanë
për obligim për të siguruar sigurinë e të gjithë banorëve në Kosovë për shkak se paditësi me datë
16.01.2004, ka kuptuar për dëmin e shkaktuar në kohën kur në Kosovë kanë qenë të formuar
qeveria qendrore dhe ajo lokale. Me tu larguar paditësi në banesë kanë hyrë dhe janë vendosur
persona të panjohur dhe paditësit i kanë shkaktuar dëme materiale. Komuna e Suharekës
krejtësisht pa kompetencë dhe në mënyrë të paligjshme pronën e paditësit e ka rrënuar dhe në të
njëjtin vend ka ndërtuar objektin e zjarrfikësve, ditën e saktë lidhur me rrënimin e objektit
paditësi nuk e ka në dijeni por në çdo rast kjo ka ndodhur në periudhën kohore jo të verifikuar
saktë gjatë vitit 1999-2000. Paditësi vërtetoi se ishte pronar i pasurisë së paluajtshme të cilën e
bleu nga i padituri i dytë Komuna e Suharekës, përmes Kontratës së Shitblerjes Oov.br.1814/93
të datës 21.10.1993, por komuna ia rrënoi shtëpinë familjare me sipërfaqe 41.75 m² në lagjen
Shirokë dhe në të njëjtën truall ndërtoi stacionin e zjarrfikësve, duke i shkaktuar paditësit dëme
materiale në shumën prej 30.000 euro duke përfshi mobilet si në ndërtesën e rrënuar ashtu edhe
faktin se ai duhej të jetonte privatisht në Lapovë sepse nuk kishte shtëpi të vetën dhe atë për 25
vite 12 muaj, kjo është 300 muaj x (here) 100 euro qira mujore, kjo është 30.000 euro, që përbën
gjithsej 60.000 euro. Shpenzimet e procedurës i ka kërkuar, që të paditurat në mënyrë solidare
t’ia kompensojnë, dhe atë për padi 104 euro, për ekspertizë 150 euro, për 10 seanca me nga 135 euro, për përpilimin e ankesës 150 euro, që gjithsej kap shumën prej 1,754 euro, nën kërcënimin
e përmbarimit të detyruar.

Pretendimet e të paditurës së parë, komuna e Suharekës


Përfaqësuesi i të paditurës së parë Komuna e Suharekës, në përgjigje në padi ka theksuar se, në
tërësi e konteston padinë dhe kërkesëpadinë e palës paditëse, duke shtuar se pala paditëse
pretendon se Komuna e Suharekës është përgjegjëse për kompensimin e dëmit që pretendon se i
është shkaktuar në vitin 1999 pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë. E paditura vjen në përfundim
se Komuna e Suharekës nuk ka legjitimitet real pasiv për të qenë palë në këtë çështje juridike
civile. Në kohën kur paditësi pretendon se i është shkaktuar dëmin, në pajtim me nenin 1 pika
1.1 të Rregullores së UNMIK-ut nr.19991/1 të datës 25.06.1999 e cila rregullore ka pasur fuqi
juridike prej 10.06.1999, përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë në Kosovë e ka pasur UNMIK-u
së bashku me KFOR-in, kompetenca këto që iu dhanë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë në Kosovë edhe sipas
Rregullores së UNMIK-ut nr.2001/09 të datës 15.05.2001, përkatësisht kreu 6 dhe 8 të Kornizës
Kushtetuese të Kosovës e ka pasur UNMIK-u së bashku me KFOR-in. Andaj, i ka propozuar
gjykatës që kërkesëpadinë e palës paditëse ta hedh poshtë si të pa lejuar. Nëse gjykata vlerëson
se duhet mbajtur seanca kryesore, pas vlerësimit dhe administrimit të gjitha provave padinë dhe
kërkesëpadinë e paditësit ta refuzoj si të pa bazuar.
Nder tjera përfaqësuesi i te paditurës se pare ka theksuar se, paditësi bazën e kërkesëpadisë e
mbështet tek përgjegjësia objektive, por tek kjo përgjegjësi janë paraparë disa kushte që duhen
të përmbushen e të cilat duhet të i vërtetoj paditësi, si: 1.dëmi, 2.lidhjen kauzale midis dëmit të
shkaktuar dhe këtu të paditurit të parë dhe 3.) veprimin e kundërligjshëm të të paditurës. Paditësit
edhe mund ti jetë dëmtuar prona por është fakt i pakontestueshëm dhe dihet se dëmi i pronësisë
në Kosovë ka ardhur si pasoj e dëmtimit, djegies së shtëpive, banesave të shqiptarëve nga forcat
serbe dhe vet banorët serbë, të cilët kanë qenë të vetmit duke jetuar në Shirokë, pasi që banorët
shqiptar kanë qenë të larguar nga shtëpitë e tyre nga forcat paramilitare serbe e që paditësi duhet
të kërkoj kompensim në Serbi. Paditësi ka theksuar se në këtë njësi banesore ka jetuar mbi 20
vite, kjo bie ne kundërshtim edhe me vetë kontratën te cilën ai e prezanton ne vitin 1993 ndërsa
largimi i tij nga Kosova ka ndodhur ne vitin 1999 që përkatësisht i bie 6 vite. Përgjegjësia për
rendin dhe sigurinë në Kosovë të personave dhe pasurisë edhe sipas Rregullores së UNMIK-ut
nr.2001/09 të datës 15.058.2001, përkatësisht Kreu 6 dhe 8 të Kornizës Kushtetuese të Kosovës
e ka pasur UNMIK-u së bashku me KFOR-in. Ndër tjera ka shtuar se kemi edhe parashkrim të
kërkesës sipas LMD-së, pasi i njëjti pretendon se dëmi i’u është shkaktuar në vitin 1999, ndërsa
kërkesë padinë e ka paraqitur me 05.10.2004, ku i propozuar gjykatës që padia të hedhet poshtë.

Pretendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, avokatura shtetërore


Përfaqësuesi i të paditurës së dytë Qeveria e Kosovës, në përgjigje në padi të datës 17.10.2011,
ka theksuar se, në tërësi e konteston padinë dhe kërkesëpadinë e palës paditëse dhe të njëjtën e
konsideron si të pa lejuar-bazuar. Paditësi pretendon se Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për
kompensimin e dëmit që pretendon se i është shkaktuar në vitin 1999 pas hyrjes së KFOR-it në Kosovë. E paditura vjen në përfundim se Qeveria e Kosovës nuk ka legjitimitet real pasiv për të
qenë palë në këtë çështje juridike civile. Në kohën kur paditësi pretendon se i është shkaktuar
dëmi, në pajtim me nenin 1 pika 1.1 të Rregullores së UNMIK-ut nr.19991/1 të datës 25.06.1999
e cila rregullore ka pasur fuqi juridike prej 10.06.1999, përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë në
Kosovë e ka pasur UNIK-u së bashku me KFOR-in, kompetenca këto që iu dhanë sipas
Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Përgjegjësinë për rendin dhe
sigurinë në Kosovë edhe sipas Rregullores së UNMIK-ut nr.2001/09 të datës 15.05.2001,
përkatësisht kreu 6 dhe 8 të Kornizës Kushtetuese të Kosovës e ka pasur UNMIK-u së bashku
me KFOR-in. Andaj, i ka propozuar gjykatës që kërkesëpadinë e palës paditëse ta hedhë poshtë
si të pa lejuar. Nëse gjykata vlerëson se duhet mbajtur seanca kryesore, pas vlerësimit dhe
administrimit të gjitha provave padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit ta refuzoj si të pa bazuar.
Ndërsa në lidhje me këtë çështje gjyqësore, e paditura e dytë është deklaruar sipas parashtresës
së dorëzuar me shkrim nëpërmjet emailit zyrtar, ku në parashtresën e datës 25.03.2025, kanë
theksuar se, mbesin në tërësi pranë përgjigjes në padi, duke shtuar se padia është e palejuar ndaj
të paditurave sepse nga viti 1999 përkatësisht qershor 2000, rrethanat e jashtëzakonshme kanë
pushuar dhe paditësi nuk ka ngritur padi brenda 3 viteve, përkatësisht 5 viteve, ashtu siç kërkon
LMD-ja, konkretisht nenit 357, kërkesa e shpërblimit të dëmit, të shkaktuar parashkruhet për 3
vite nga dita kur i dëmtuari ka marrë dijeni për dëmin dhe për personin i cili e ka shkaktuar
dëmin, ndërsa në çdo rast kjo kërkesë parashkruhet për 5 vite nga shkaktimi i dëmit. Nga gjendja
faktike e përshkruar shihet qartë se dëmi është shkaktuar në vitin 1999, kur Kosova ka qenë nën
Administratën e UNMIK-ut dhe KFOR. Duke ju referuar dispozitave të UNMIK-ut Rregullores
2000/47 për Statusin dhe Privilegjet dhe Imunitetin e KFOR, UNMIK dhe personelit të tyre, neni
2 par.1 thekson, Prona dhe Fondet dhe pasurit e tyre janë të liruara nga çfarëdo procesi gjyqësor,
ndërsa par.4 thekson, personeli i tyre është liruar nga juridiksioni i gjykatave në Kosovë në lidhje
me çfarëdo veprimi Administrativ, civil apo kriminal të kryera në territorin e Kosovës, ata i
nënshtrohen vetëm juridiksionit të shteteve të tyre, nga të cilat dërgohen. Sa i përket Qeverisë së
Kosovës dhe Komunës, ato nuk kanë legjitimitet pasiv për të qenë palë në procedurë sepse, dëmi
është shkaktuar në kohën kur ato nuk kanë pasur juridiksion sa i përket çështjes në Sektorin e
Sigurisë dhe prandaj pretendimi i palës paditëse nuk qëndron se Organet shtetërore kanë qenë të
autorizuara ta mbrojnë nga aktet e dhunës dhe pengimi i shkatërrimit të pronës sepse ky
komponent 100% i ka takuar KFOR-it dhe UNMIK-ut, me çka i kanë propozuar gjykatës që
kërkesëpadi e paditësit të refuzohet e pa bazuar.

Suspected Malware | Cloudflare

Warning

Suspected Malware

This website has been reported for potentially distributing malware.

Malware is malicious software created to intentionally disrupt the normal operations of a device.

Learn More