Rasti Karaçeva, gjedhet e sëmura përfundonin në fabrika për prodhimin e mishit në Suharekë e më gjerë

Janë publikuar dosjet e Prokurorisë së Gjilanit e cila shpalos gjithë organizimin e kontrabandës me mallra, organizimin e skemave priamidale e bizhozit të paligjshëm në rastin Karaçeva.

Në këto dosje të Prokurorisë për 33 personat e arrestuar në mesin e tyre edhe zyrtarë policor, janë dhënë detaje se si kishte funksionuar ky grup i dyshuar për vepra të ndryshme të kundërligjshme.

Prokuroria ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan një muaj paraburgim për 33 personat e arrestuar nga Njësia Speciale e Policisë dhe Inspektoratit Policor të premtën në mbrëmje.

Aty bëhen të ditura dyshymet e organit të akuzës për personat e arrestuar pas një hetimi të gjatë të Prokurorisë dhe IPK-së.

14 nga qytetarët që u arrestuan në aksionin e së premtes në Karaçevë po dyshohen për kontrabandim me mallra ndërsa Y.F., Rr. G., N.Ç. Dhe L.G. po dyshohen për organizim të lojërave të fatit apo bixhoz të kundërligjshëm.

Që nga viti i kaluar, nën masa të fshehta,  Prokuroria e Gjilan, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, Divizionin kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsion dhe Policia e Kosovës, kanë hetuar të dyshuarit të cilët në mënyra ilegale kontrabandonin kafshë nga Serbia në Kosovë.

Kontrabandimi përmes rrugëve ilegale duke i futur fillimisht në rajonin e Kamenicës përmes vijës kufitare përmes transportit me kamionë, traktor por edhe me këmbë, ku më pas bëhej distribuimi i tyre.

Kafshët më pas përfundonin në thertore apo fabrika për prodhimin e mishit si në Gjilan, Prizren, Gjakovë, Suharekë, Podujevë, Prishtinë dhe të tjera vende.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.