Qeveria: Personat që do të strehohen nga SHBA do të përzgjidhen sipas kritereve të sigurisë kombëtare

24.06.2025

Republika e Kosovës do të pranojë dhe strehojë 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të sigurt në vendin e tyre të prejardhjes, sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës të datës 11 qershor 2025.

Identifikimi dhe përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa mbrojtja e përkohshme do të ofrohet në përputhje me legjislacionin përkatës për azilin.

Qeveria e Kosovës ka theksuar se përzgjedhja e këtyre individëve do të bëhet duke pasur në konsideratë sigurinë kombëtare dhe rendin publik, dhe se procesi do të zhvillohet në koordinim të vazhdueshëm me SHBA-të, për të siguruar realizim pa pengesa.

Sipas qeverisë, Kosova ka një përvojë të suksesshme në menaxhimin e rasteve të mbrojtjes së përkohshme, duke përmendur rastin e strehimit të shtetasve afganë në vitin 2021 në bashkëpunim me NATO-n dhe SHBA-të, si dhe strehimin e gazetarëve ukrainas përmes programit “Gazetarët në Rezidencë (JiR)”.

Ministria e Punëve të Brendshme do të trajtojë individualisht secilin rast dhe, sipas ligjit në fuqi, mbrojtja e përkohshme zgjat një (1) vit, me vlerësim të vazhdueshëm të rrethanave në vendin e origjinës të personave të strehuar. Gjatë kësaj kohe, shteti i Kosovës do të ofrojë:

  • Strehim dhe akomodim
  • Ushqim dhe veshmbathje
  • Pako higjienike
  • Qasje në kujdes shëndetësor, përfshirë kujdesin emergjent dhe trajtimin e sëmundjeve

Ministria e Brendshme ka konfirmuar se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e vendimit, duke përfshirë pritjen, akomodimin dhe ofrimin e shërbimeve për personat që do të përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme.

Në fund, Qeveria ka riafirmuar partneritetin e palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e konsideruar SHBA-në si aleat të qëndrueshëm dhe të pazëvendësueshëm në proceset e sigurisë dhe zhvillimit të vendit, veçanërisht në rrugëtimin drejt integrimit euro-atlantik.