Qeveria në detyrë miraton vendime për projektin e urës mbi Ibër dhe shërbimet e ujësjellësit
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje elektronike, gjatë së cilës janë miratuar disa vendime që lidhen me projekte infrastrukturore dhe menaxhimin e shërbimeve të ujit.
Sipas njoftimit të kryeministrisë, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës me vetiniciativë për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme. Këto prona janë të nevojshme për realizimin e Projektit Infrastrukturor për Interes Publik – Ndërtimi i Urës mbi lumin Ibër, e cila do të lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.
Ndër vendimet tjera, Qeveria ka caktuar zonat e shërbimit për ofruesit e shërbimeve të ujit në gjithë territorin e Kosovës. Gjithashtu, është miratuar ndryshimi i Statutit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A., bazuar në vendimin e bordit të drejtorëve.
Këto masa vijnë në kuadër të përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës publike dhe eficiencës së shërbimeve për qytetarët e Kosovës.