Qeveria ndan 40 mijë euro për familjet e dy zjarrfikësve që humbën jetën në krye të detyrës

01.08.2025

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka marrë sot një vendim solidar dhe mirënjohës ndaj sakrificës së dy zjarrfikësve që humbën jetën në vendin e punës.

Në mbledhjen e sotme, është miratuar ndarja e 40 mijë eurove për familjet e zjarrfikësve Sefadin Osmanaj dhe Kaçun Lima, të cilët humbën jetën gjatë viteve 2024 – 2025.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi se secila familje do të përfitojë nga 20 mijë euro në shenjë respekti për vetmohimin dhe përkushtimin e tyre.

“Vetmohimi dhe përkushtimi profesional i zjarrfikësit Sefadin Osmanaj dhe Kaçun Limës ndaj detyrës fisnike të zjarrfikësit do të kujtohet gjithmonë me mirënjohje të thellë”, deklaroi Kurti.

Zyrtari i Njësisë së Zjarrfikësve në Klinë, Sefadin Osmanaj, kishte humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës, ndërsa Kaçun Lima, pjesëtar i Njësisë së Zjarrfikësve në Gjakovë, ndërroi jetë gjatë një intervenimi tjetër në terren.

Vendimi i qeverisë u mirëprit si një akt simbolik i nderimit dhe përkrahjes për familjet e heronjve të shërbimit publik, që sakrifikuan jetën për të mbrojtur të tjerët.