Qeveria në detyrë mban mbledhjen e 258-të: Merr 14 vendime, në fokus zhvillimi rajonal
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se kabineti qeveritar ka mbajtur sot mbledhjen e 258-të, ku janë miratuar gjithsej 14 vendime të rëndësishme, që prekin sektorë të ndryshëm të jetës publike, ekonomike dhe sociale në vend.
Foto: Ilustrim
Ndër vendimet kryesore të kësaj mbledhjeje ishte emërimi i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” në Prizren, si dhe miratimi në parim i kërkesës për huamarrje prej 10 milionë euro për Telekomin e Kosovës, një hap që synon të stabilizojë financat e kësaj ndërmarrjeje strategjike.
Një tjetër vendim me rëndësi është ai për themelimin e grupeve koordinuese dhe intervenuese për mbrojtjen e faunës së egër, konkretisht për Ariun e murrmë, Rrëqebullin Ballkanik dhe Ujkun – specie të rrezikuara dhe me rëndësi të veçantë për biodiversitetin e Kosovës.
Në fushën e investimeve kapitale, Qeveria rialokoi 147 mijë euro për dy projekte: “Parku i Aventurave” në Kamenicë, i cili pritet të jetë një atraksion turistik dhe argëtues për të rinjtë dhe familjet, si dhe për “Ndërtimin e rrugës Dragancë e re dhe Dragancë e vjetër” në komunën e Novobërdës, duke përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe lidhjen ndërmjet fshatrave.
Po ashtu, është bartur e drejta e shfrytëzimit të një ngastre te Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, me qëllim të ndërtimit të Monumentit për Dëshmorët e rënë më 17 korrik 1998, në vendin “Rrasa e Zogut”, në Bjeshkët e Junikut.
Qeveria ka miratuar gjithashtu Planin e Veprimit 2025–2026 për zbatimin e Strategjisë për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali, që është pjesë e përkushtimit institucional për barazi dhe përfshirje të këtyre komuniteteve në jetën sociale dhe ekonomike.
Tre vendime përfundimtare për shpronësime për interes publik janë miratuar gjithashtu për projektet në komunën e Gjilanit dhe Ferizajt: varrezat e fshatit dhe fusha sportive në Dobërçan, ndërtimi i çerdhes së fëmijëve dhe hapësirave gjelbëruese në Gjilan, si dhe zgjerimi i rrugës nacionale N2 në segmentin “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.
Ky angazhim i Qeverisë në detyrë tregon një qasje të vazhdueshme për zhvillim rajonal, mirëqenie të qytetarëve dhe ruajtje të trashëgimisë natyrore e kulturore të vendit.
Kurti: Subjektet politike shqiptare në Luginë dakordohen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”