Mërgimtarët që japin shpresë – Vëllezërit nga Reqani dhurojnë donacion për Handikos

03.11.2025

Handikos në Suharekë ka pranuar një donacion nga disa mërgimtar nga Suhareka dhe Strellci i Deçanit, të cilët jetojnë në Gjermani.

Vëllezërit Armend dhe Adem Veselaj nga fshati Reqan i Suharekës, së bashku me bashkëatdhetarin Avni Kurmehaj nga Strellci i Deçanit, të cilët jetojnë dhe veprojnë në München të Gjermanisë, kanë bërë sërish një donacion humanitar për qendrën lokale në Suharekë.

Në kuadër të këtij donacioni janë dorëzuar:

  • 3 karroca normale,
  • 1 karrocë speciale, dhe
  • 9 rolatorë (shetitore).

Ky gjest solidariteti është pritur me mirënjohje nga përfaqësuesit e qendrës, të cilët kanë falënderuar dhuruesit për kontributin e vazhdueshëm dhe mbështetjen e tyre të sinqertë ndaj personave në nevojë.

“Faleminderit dhe u jemi mirënjohës gjithmonë për kontributin tuaj ndaj qendrës sonë,” thuhet në njoftimin e bërë publik nga qendra për përkujdesje sociale në Suharekë.

Ky është vetëm një nga shumë shembuj të ndihmës që bamirësit nga diaspora kosovare japin vazhdimisht për institucionet dhe komunitetet në vendlindje, duke dëshmuar lidhjen e fortë që ruajnë me atdheun.