Prishtina nikoqire e Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
Prishtina do të jetë qendra e diskutimeve globale mbi rolin e grave në paqe dhe siguri gjatë dy ditëve të ardhshme, duke pritur edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Foto: Ilustrim
Nën patronatin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, forumi do të hapë dyert nesër dhe do të zgjasë deri të martën. Ky eveniment i rëndësishëm pritet të mbledhë mbi 150 folës nga më shumë se 45 shtete të ndryshme, të cilët do të marrin pjesë në mbi 30 panele diskutimi.
“Më 2 dhe 3 qershor, Prishtina bëhet edhe këtë vit vendtakimi i zërave nga e mbarë bota, të cilët do të ndajnë vizionin e tyre për ‘Kodin e Sigurisë për Brezin Tonë'”, thuhet në njoftimin e Presidencës, duke theksuar rëndësinë e këtij forumi në adresimin e sfidave globale të sigurisë me fokus tek roli i gruas.
Pritet që forumi të ofrojë një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e ideve, ndarjen e përvojave dhe krijimin e rrjeteve mes akterëve të ndryshëm që punojnë në fushën e grave, paqes dhe sigurisë.