Presidentja Osmani vazhdon takimet me liderët politikë, takohet me Haradinaj
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim liderët e partive politike, në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit politik që ka bllokuar konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Pas takimeve të zhvilluara me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së Lumir Abdixhiku, Osmani tashmë është në takim edhe me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ky takim po zhvillohet në këto momente dhe pritet të përqendrohet në gjetjen e zgjidhjeve për të rikthyer funksionalitetin e Kuvendit.
Ky përfaqëson raundin e dytë të konsultimeve që Presidentja po zhvillon me liderët politikë pas zgjedhjeve të fundit. Ndryshe nga herën e parë kur takimet u mbajtën në një format të përbashkët, kësaj here presidentja po zhvillon takime të ndara me secilin prej kryetarëve të partive parlamentare.
Ngërçi institucional ka penguar zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke shtyrë përpara një krizë politike që kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve.