Presidentja Osmani takon të ngarkuarën me punë të SHBA-së, Prattipati – diskutojnë ngërçin politik dhe hapat e mëtejmë

08.08.2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Takimi vjen pak ditë pas pranimit të letrës nga presidenti Trump, për të cilën presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për përkrahjen dhe për fjalët e fuqishme mbi partneritetin me Kosovën. Ajo rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur për të punuar ngushtë me presidentin Trump për të thelluar aleancën me SHBA-në dhe për të avancuar objektivat e përbashkëta strategjike.

Në njoftim thuhet se presidentja Osmani vlerësoi lart lajmin e komunikuar javën e kaluar nga zëvendëssekretari amerikan, Christopher Landau, për vazhdimin e Kompaktit të MCC-së në Kosovë, duke e cilësuar këtë si një hap që do të kontribuojë ndjeshëm në zhvillimin afatgjatë dhe strategjik të sektorit të energjisë, si dhe në përparimin e Kosovës drejt integrimit në peizazhin digjital global.

Gjatë takimit të së enjtes, Osmani dhe Prattipati diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe pritshmëritë për hapat e mëtejmë. Ndër të tjera, u trajtuan edhe hapa konkretë për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët mes Kosovës dhe SHBA-së.