Presidentja Osmani: Paqja e siguria e grave janë shtylla qendrore të vizionit të Kosovës

21.10.2022

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur konferencë për medie një ditë para fillimit të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Pasi bëri të ditur nismëtarët e organizimit të këtij forumi dyditor, presidentja Osmani shtoi se një nismë të tillë synohet të organizohet në mënyrë tradicionale, derisa shtoi se ky organizim është […]

Presidentja Osmani: Paqja e siguria e grave janë shtylla qendrore të vizionit të Kosovës Foto: Ilustrim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur konferencë për medie një ditë para fillimit të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Pasi bëri të ditur nismëtarët e organizimit të këtij forumi dyditor, presidentja Osmani shtoi se një nismë të tillë synohet të organizohet në mënyrë tradicionale, derisa shtoi se ky organizim është edhe një nga zotimet tona si Republikë e Kosovës në “Samitin për demokraci” të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Tutje presidentja Osmani vuri në dukje se temë e këtij edicioni të parë do të jetë: Ndërtimi  i aleancave për paq të qëndrueshme, me të cilën synojmë të reflektojmë mbi sukseset e sfidat të agjendës të Rezolutës 1325, njëzet e dy vjet pas miratimit të kësaj rezolute.

“Forumi është platformë edhe për rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën për të njohur e promovuar për aftësinë e grave dhe vajzave për të kontribuar në mënyrë thelbësore në proceset e paqes e të sigurisë”, theksoi presidentja Osmani, raporton RTKlive.

Më tej, presidentja shtoi se ky forum synon të përcjellë qartë mesazhin se paqja e siguria e grave janë shtylla qendrore të vizionit të Republikës së Kosovës për paqe të qëndrueshme në nivel lokal, rajonal si dhe global.

Mes tjerash, presidentja Osmani tha se ky edicion, që është i pari i këtij lloji, do t’i kushtohet trashëgimisë së ish-sekretares amerikane Madeline Olbright, mikes së madhe të Kosovës e cila iku në amshim muaj më parë.

Ajo ka folur edhe për iniciativën franko-gjermane, e cila sipas saj, ka për qëllim intensifikimin e dialogut.

“Deri tani ajo çka mund t’ju garantoj është që qëllimi i aleatëve tanë është qelli i mirë, që ky proces të përfundojë sa më parë dhe po ashtu asnjëherë askush nga partnerët nuk ka kërkuar nga Kosova që të hiqet dorë nga njohja reciproke. Qytetarët e Kosovës të rrinë të qetë sepse në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të preket sovraniteti, integriteti territorial i vendit tonë, e aq më pak funksionaliteti i brendshëm i Kosovës. Në krye të republikës janë njerëzit që kanë parandaluar marrëveshjet e dëmshme për Kosovën jo të tjerët, kështu që rrini të qetë”, është shprehur Osmani, transmeton RTK.

Ndryshe, Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, do të mbahet më 22 dhe 23 tetor 2022, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë personalitete të shumta të jetës politike, shkencore, kulturore dhe nga shoqëria civile nga vende të ndryshme të botës.