Presidentja Osmani: Kundërshtojmë çdo kriter të ri për liberalizim të vizave

30.06.2022

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se iu ka bërë të qartë të gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë iniciative e cila do të stërzgjaste procesin për lëvizje të lirë. Osmani thotë se tashmë Kosovës i është dhënë përgjigje nga shumica e zyrtarëve te BE-së që nuk […]

Presidentja Osmani: Kundërshtojmë çdo kriter të ri për liberalizim të vizave Foto: Ilustrim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, thotë se iu ka bërë të qartë të gjithë përfaqësuesve të Bashkimit Evropian që Kosova nuk do të bëhet pjesë e asnjë iniciative e cila do të stërzgjaste procesin për lëvizje të lirë.

Osmani thotë se tashmë Kosovës i është dhënë përgjigje nga shumica e zyrtarëve te BE-së që nuk ka një synim të tillë, megjithatë ajo vlerëson që duhet punuar bashkërisht në mënyrë që propozime të tilla, si ai për udhërrëfyesin e ri, të mos shtyhen përpara.

Duke folur për KosovaPress, e para e shtetit thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet, duke theksuar se vendimi për liberalizim është vonuar.

“Ne kërkojmë që të trajtohemi ashtu siç janë trajtuar shtetet e tjera, në historinë e Bashkimit Evropian nuk ka ndodhur asnjëherë që të vendoset një udhërrëfyes i dytë, rrjedhimisht edhe kritere të reja, apo rivlerësim i kritereve që nga fillimi, prandaj është e domosdoshme që ne si Republikë e Kosovës të kundërshtojmë një qasje të tillë, ashtu siç e kemi bërë.

Unë e kam bërë të qartë për të gjithë përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që nëse mendohet një qasje e tillë natyrisht që nuk do të jetë e pranueshme për ne dhe nuk do të bëhemi pjese e iniciativave të tilla të cilat kanë për qëllim ta stërzgjatin edhe më shumë këtë proces i cili tashmë është vonuar për më shumë se katër vite”, thotë presidentja Osmani.

Presidentja thotë se tashmë ka marrë përgjigje nga shumica e zyrtarëve të Bashkimit Evropian që nuk ekziston synimi për kritere shtesë.

Megjithatë, ajo thotë se është e domosdoshme të punohet me shtetet anëtare që edhe ato të refuzojnë iniciativa për udhërrëfyes të ri.

Osmani thotë se edhe shtetet hezituese kanë treguar përkrahje por shton se tani janë procedura të cilat pret që të përfundohen sa më shpejtë.

“Nuk besoj që do të ishte e përgjegjshme që ne të vendosim data. Natyrisht që optimizmi ekziston sepse ne kemi plotësuar të gjitha kriteret, ne ju kemi përgjigjur të gjitha shqetësimeve të shteteve anëtare, dhe tashmë siç e përmenda edhe vet Samitin e Këshillit u diskutuar në favor të liberalizmit të vizave dhe nga vet shtetet skeptike, në qoftë se ato kanë pyetje shtesë në raport me çështje specifike në Republikën e Kosovës këto çështje i trajtojmë në mënyrë bilaterale por kjo assesi nuk do të arsyetonte krijimin e një procedure të re të paprecedent të një udhërrëfyesi të ri, siç është përmendur nga komisionari për zgjerim.

Prandaj nëse dikush ka ndonjë pyetje shtesë nga shtetet anëtare këto ditë ne do ta trajtojmë me urgjencë dhe nuk do të mbetët asnjë çështje tjetër prandaj edhe do të duhej kjo çështje të vendosej me urgjencë”, shton presidentja Osmani.