Presidentja Osmani: “Kosova i përket të gjithëve”, mirëpret në zyrën e saj fëmijët nga komunitetet

29.12.2024

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë një mesazh shpresëdhënës në prag të fundvitit, duke theksuar rëndësinë e bashkëjetesës dhe barazisë për të gjitha komunitetet në vend.

Në një postim në Facebook, ajo ka njoftuar se ka mirëpritur anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe një grup fëmijësh nga të gjitha komunitetet e Kosovës.

“Kosova i përket të gjithë qytetarëve të saj, por mbi të gjitha fëmijëve tanë – gjeneratës së ardhshme të udhëheqësve,” ka shkruar Presidentja Osmani, duke vënë theksin te gjeneratat e reja si bartëse të së ardhmes së vendit.

Në mesazhin e saj, Presidentja ka theksuar vizionin e saj për një Kosovë të barabartë dhe gjithëpërfshirëse, ku çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike apo komunitare, ndihet pjesë e barabartë e shoqërisë.

Takimi i fundvitit, i cili përfshiu përfaqësues të ndryshëm të komuniteteve dhe fëmijë nga e gjithë Kosova, simbolizon përkushtimin institucional ndaj unitetit dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të vendit.

Mesazhi përmbyllet me një thirrje për bashkëpunim dhe solidaritet: “Së bashku për një Kosovë të barabartë për të gjithë!”