Presidentja Osmani fal për herë të parë një grua të burgosur, ndodhej në burg me foshnjën e saj për shkaqe humanitare
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nënshkruar mbrëmë një dekret për faljen e pjesës së mbetur të dënimit për Arza Cakollin, e cila ndodhej në Qendrën Korrektuese për Gra në Lipjan.
Vendimi është marrë bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të Presidentes, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore.
Sipas njoftimit të Presidencës, falja është bërë për shkaqe humanitare dhe rrethana të jashtëzakonshme. Arza Cakolli ka lindur fëmijën e saj të parë gjatë kohës që po vuante dënimin dhe aktualisht ndodhet në burg së bashku me foshnjën. Gjithashtu, në vendimin për falje janë marrë parasysh faktorë të tjerë, si:
• Fakti që e dënuara nuk ka kryer më parë ndonjë vepër penale.
• Vepra për të cilën është dënuar, “Rrezikimi i Trafikut Publik”, është kryer pa dashje dhe pa ndonjë ndikim të alkoolit apo substancave të tjera.
• Gjendja shëndetësore e nënës dhe foshnjës së saj.
Arza Cakolli kishte nisur vuajtjen e dënimit prej 1 vit e 2 muaj burg në korrik të vitit 2024 dhe, sipas vendimit të mëparshëm, do të lirohej më 14 shtator të këtij viti.
Dosja me propozimin për falje, e shqyrtuar nga Komisioni dhe ekipi ligjor i Presidentes, arriti në zyrën e saj ditën e djeshme. Pas vlerësimeve të institucioneve përkatëse dhe duke marrë parasysh faktorët humanitarë, Presidentja vendosi faljen e pjesës së mbetur të dënimit.
Ky vendim nënvizon përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të respektuar dimensionin humanitar dhe rrethanat e jashtëzakonshme në raste të veçanta.