Presidentja Osmani dekoron Gianni Infantinon për kontributin ndaj futbollit kosovar

08.10.2025

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me një çmim nderi për kontributin e tij në zhvillimin dhe afirmimin ndërkombëtar të futbollit kosovar.

Ceremonia u mbajt në prani të mysafirëve dhe përfaqësuesve të institucioneve vendore e sportive, ku Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes së FIFA-s për Kosovën që nga pranimi i saj në organizatat ndërkombëtare të futbollit.

Gjatë fjalës së saj, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të veçantë për Infantinon, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme.

“Faleminderit që na besove, faleminderit që qëndrove me ne. Faleminderit që je një mik i mirë i vendit tonë”, tha Osmani, duke vënë në pah marrëdhënien e ngushtë që Kosova ka ndërtuar me kreun e FIFA-s.

Ky dekorim vjen si një njohje për rolin e Gianni Infantinos në fuqizimin e futbollit të Kosovës dhe në promovimin e tij në arenën ndërkombëtare, duke hapur dyer të reja për përfaqësueset dhe klubet kosovare në garat botërore.