Pezullohet vendimi për bllokimin e regjistrimit të automjeteve për gjoba të papaguara
Bizneset kosovare, veçanërisht ato të lidhura me automjete si kompanitë e veturave me qira, lizingu, taksitë dhe transportuesit, kanë përballuar vështirësi të mëdha kohët e fundit për shkak të pamundësisë së regjistrimit të automjeteve të tyre, të kushtëzuar nga gjobat e papaguara.
Megjithatë, një lajm i mirë vjen nga Agjencia e Regjistrimit Civil, e cila ka marrë vendim për pezullimin e përkohshëm të kësaj mase.
Kjo çështje u diskutua gjatë një takimi të zhvilluar sot mes zyrtarëve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) dhe përfaqësuesve të Agjencisë së Regjistrimit Civil, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit.
Aida Selimi – Shabani, anëtare e Bordit të DhTIK-së, shprehu shqetësimin e thellë të bizneseve lidhur me aplikimin e Nenit 89, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor. Kjo dispozitë kushtëzonte regjistrimin e automjeteve me pagesën e të gjitha gjobave, duke bllokuar kështu flotat e automjeteve dhe duke detyruar bizneset të paguanin shuma të mëdha parash përnjëherë, shpesh pa mundësi ankese. Selimi – Shabani theksoi se ky kushtëzim shkel të drejtat themelore të pronës së personave fizikë dhe juridikë, duke e cilësuar si një masë joproporcionale. Ajo shtoi se një qasje e tillë në mënyrë të tërthortë inkurajon edhe rritjen e numrit të automjeteve të paregjistruara që qarkullojnë në trafik, duke dëmtuar sigurinë rrugore dhe ekonominë.
Përfaqësuesit e Agjencisë së Regjistrimit Civil njoftuan në takim se është marrë vendimi për pezullimin e përkohshëm të këtij vendimi deri në zgjidhjen e plotë të çështjes. Ky zhvillim pritet të lehtësojë ndjeshëm barrën mbi bizneset dhe të parandalojë dëme të mëtejshme ekonomike. Kjo masë e përkohshme jep kohë për gjetjen e një zgjidhjeje më afatgjatë dhe të drejtë për të gjitha palët e përfshira.