Përurohet rruga ndërkufitare Gorozhup–Pogaj, që lidh Hasin e Kosovës me Hasin e Shqipërisë

04.10.2025

Në një ceremoni solemne, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin Hysen Durmishi, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, si dhe deputetë nga të dy kuvendet, përuruan sot rrugën ndërkufitare Gorozhup (Has i Prizrenit) – Pogaj, një projekt i rëndësishëm në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe Kosovë–Shqipëri.

Rruga e re, me gjatësi 3.7 kilometra dhe investim prej afro 1 milion euro, lidh dy fshatrat që historikisht kanë qenë një – Gorozhupin dhe Pogajn. Ky projekt, i shumëpritur nga banorët, u cilësua si një arterie vendimtare për qarkullimin e lirë, zhvillimin e turizmit malor e kulturor dhe forcimin e shkëmbimeve ndërmjet dy anëve të kufirit.

Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e këtij investimi:

“Kjo është një pjesë e vogël e borxhit të madh që kemi ndaj këtij komuniteti, që i ka dhënë shumë zhvillimit ekonomik dhe historisë sonë kombëtare. Lidhja jonë me Shqipërinë, përveç se historike e shpirtërore, duhet të jetë edhe fizike, dhe kjo rrugë është një dëshmi konkrete e këtij vizioni.”

Ky projekt pason përfundimin e rrugës Kërstec–Pakishtë–Zapot, me vlerë 2.6 milionë euro, duke dëshmuar vazhdimësinë e angazhimeve për infrastrukturën ndërkufitare.

Ushtruesi i detyrës së ministrit, Hysen Durmishi, rikujtoi se protokolli i marrëveshjeve për tri rrugë është nënshkruar para dy vitesh, duke përfshirë edhe projektin Dobrunë–Blinishtë. Ai paralajmëroi se bashkëpunimi do të vazhdojë me projekte të tjera, si:

  • Vazhdimi i rrugës Pogaj–Kishaj,
  • Segmenti Kishaj–Cahan,
  • Zgjerimi drejt Krumnës.

Sipas tij, këto projekte do të thellojnë integrimin ekonomik dhe social mes dy vendeve.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, e përshkroi rrugën si më shumë sesa një investim infrastrukturor:

“Kjo rrugë nuk është vetëm asfalt apo gurë. Ajo është një urë që lidh dy fshatra, dy treva, dy anë të një kombi. Është testament i lidhjes sonë historike dhe shpirtërore, lidhje që ka mbijetuar ndër shekuj.”

Në të njëjtën linjë, kryetari i Bashkisë Has, Miftar Dauti, theksoi se ky përurim shënon realizimin e një ëndrre shumëvjeçare për banorët e zonës:

“Sot Hasi ka plotësuar ëndrrën disavjeçare, bashkimin e trojeve hasjane. Vetëm përmes këtyre arterieve ne mund të heqim barrierat që na janë vënë ndër vite.”

Inaugurimi i rrugës Gorozhup–Pogaj është dëshmi e përkushtimit të institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë për të investuar në projekte që lidhin komunitetet dhe lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve. Përveç funksionit të saj praktik, kjo rrugë simbolizon afrimin e dy shteteve që ndajnë histori, traditë dhe kulturë të përbashkët.

Me fjalët e kryeministrit Kurti:

“Kjo rrugë i lidh dy komunitete që historikisht kanë qenë një. Uroj që banorët ta gëzojnë këtë investim dhe që këto male të bukura të sjellin vizitorë të shumtë, sepse janë të dobishme jo vetëm për syrin, por edhe për shëndetin.”