Përfundon me sukses afati i dytë i testit të maturës, rezultatet do të publikohen me 16 tetor

Sot është mbajtur testi i maturës 2020 (afati i dytë) ku u nënshtruan rreth 8,300 nxënës në tërë Kosovë, prej tyre 287 vetëm në Suharekë.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se testi i maturës 2020 (afati i dytë) ka përfunduar me sukses, transmeton SuharekaOnline

“Afati i dytë i provimit të Maturës Shtetërore 2020, i cili është organizuar sot për 8300 maturantë në 84 qendra testimi në gjithë Kosovën, ka përfunduar me sukses.

Kështu ka vlerësuar Komisioni i Maturës Shtetërore (KShM), pas raporteve të ardhura nga komunat, respektivisht nga qendrat e testimit, sipas të cilave gjithçka ka shkuar sipas planifikimit të organizimit të testit në kushtet e pandemisë COVID-19.

Kryetari i KShM, Gëzim Berisha, ka falënderuar të gjithë akterët e përfshirë për përkushtimin e tyre që ky proces të kalojë sipas planifikimit, e në veçanti nxënësit, të cilët i kanë respektuar masat e rekomanduara nga institucionet kompetente të shëndetësisë” thuhet në njoftimin e MASH.

Rezultatet e testit do të bëhen publike më 16 tetor 2020, ndërsa 19-21 tetor do të jetë afati i ankesave, rezultatet e të cilave, pas shqyrtimit do të publikohen më 23 tetor, për të shënuar kështu përfundimin e gjithë procesit të Maturës Shetërore për këtë vit.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.