Paralajmërohet ndjekja e rrugëve tjera ligjore pas vendimit të Supremes lidhur me tarifat e rrymës

16.06.2022

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRrE), për vendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Themelores që të pezullohej vendimi për faturimin e rrymës me tarifa të reja, të vendosura në shkurt. Në një njoftim për media të enjten, Supremja ka arsyetuar ndryshimin e vendimit duke thënë […]

Paralajmërohet ndjekja e rrugëve tjera ligjore pas vendimit të Supremes lidhur me tarifat e rrymës Foto: © Hallka Marketing Agency

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë(ZRrE), për vendimet e Gjykatës së Apelit dhe të Themelores që të pezullohej vendimi për faturimin e rrymës me tarifa të reja, të vendosura në shkurt.

Në një njoftim për media të enjten, Supremja ka arsyetuar ndryshimin e vendimit duke thënë se arsyetimi i aktvendimeve të mëhershme ka qenë jo bindës dhe jo konkret.

Por, nga KESCO i kanë propozuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të aplikohet vendimi paraprak, pra tarifat që ishin në fuqi para datës 8 shkurt të këtij viti.

Pikërisht, pas vendimit të 8 shkurtit ku ishte vendosur për shtrenjtim të çmimit të rrymës, PDK-ja e kishte dërguar në Gjykatë këtë vendim, duke kërkuar anulimin e tij.

Themelorja pati vendosur për pezullim të përkohshëm të zbatimit të vendimit, e njëjtë pati vendosur edhe Apeli.

Ndërsa lidhur më vendimin e fundit të Supremes dhe hapat e mëtutjeshëm ka folur deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë të ndjekin hapa të tjerë ligjor dhe se nuk do të ndalen me kaq.

“Ende se kemi marrë vendimin dhe varësisht nga vendimi që është ne do të ndjekim hapat tjerë institucionalë dhe ligjor, por ende se kemi marrë vendimin dhe besoj se rrugët ligjore nuk kanë përfunduar”, është shprehur Shala, për Front Online.

Shala ka treguar se ende nuk e kanë pranuar vendimin e Supremes, dhe deri në pranimin e këtij të fundit nuk mund ta interpretojë.

“Nuk kemi marrë ende asgjë të shkruar dhe deri s ata marrim vendimin e shkruar dhe mbi bazën e këtij vendimi do të shohim se cilat janë rrugët dhe alternativat tjera ligjore dhe konsideroj se ka instanca të tjera dhe do t’i ndjekim edhe ato. Aktualisht nuk mundem me interpretua sepse nuk e kam pa”, ka thënë deputeti Shala.

ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat me rritje më 8 shkurt, të cilat ka thënë se do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.

Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.

Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.