Para nisjes për Gjermani, Kurti fton Thaçin në takim dakordues

Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar ditën e mërkurë gjatë një interviste në Rubikon, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar sot në takim Presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,

Sipas letrës që ka nisur Kurti fton presidentin për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme.

Kurti ka kërkuar nga Thaçi që të takohen sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe në mbrëmje që  te takohemi e te dakordohemi së bashku, thuhet ndër tjera në ftesën e Kurtit.

“Politika e Jashtme është ajo që do të duhej të na bashkojë. Prezantimi sa më i denjë i Republikës sonë e tejkalon secilin prej nesh. Le ta japim tërë kapacitetin tonë intelektual e patriotik në prezantimet e takimet që do t’i bëjmë. Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe ne mbrëmje që të takohemi e të dakordohemi së bashku për temat e për qëndrimet tona”, ka shkruar Kurti.

Në anën tjetër Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Gjermani, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Munihut.

Në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Munihut, presidenti Thaçi do të ketë takime të ndryshme bilaterale, ndër të tjera edhe me senatorët amerikanë Ron Johnson dhe Chris Murphy, me Ndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit, Philip Reeker, pastaj me Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Richard Moore, si dhe me Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Miroslav Lajçak.

Po ashtu, presidenti Thaçi në kuadër të kësaj konference do ta takojë edhe të dërguarin e posaçëm të Presidentit Trump për dialogun Kosovë – Serbi, ambasadorin Richard Grenell.