OVL-UÇK përshëndet vendimin e Supremes: Fitore e drejtësisë dhe e ligjit për veteranët e luftës
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr. 01/2025, që më herët kufizonte të drejtën e veteranëve për të përfituar kompensim financiar.
Në reagimin e bërë publik, OVL e UÇK-së e ka cilësuar këtë vendim si një fitore të drejtësisë dhe ligjit, duke theksuar se me këtë akt rikthehet në vend një padrejtësi e bërë ndaj shumë veteranëve që ishin përjashtuar padrejtësisht nga skema e përfitimeve.
“Sot u rivendos një e drejtë ligjore e mohuar. Pavarësisht se shumë veteranë janë të punësuar në sektorin privat, atyre u ishte mohuar kompensimi financiar. Gjykata Supreme ka konstatuar drejt se e drejta e tyre nuk mund të kufizohet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit”, thuhet në reagimin e OVL-së.
Sipas vendimit të Supremes, përjashtimi nga kompensimi do të vlejë vetëm për ata veteranë që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa të gjithë ata që punojnë në sektorin privat do të vazhdojnë të gëzojnë të drejtën ligjore për kompensim.
OVL UÇK ka theksuar se ky vendim është një konfirmim i qartë se ligji që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë nuk mund të deformohet me akte nënligjore, duke e cilësuar veprimin e Gjykatës Supreme si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit ligjor.
“Ky është një vendim që mbron dinjitetin e luftëtarëve të lirisë dhe vlerat e luftës sonë çlirimtare. Çdo përpjekje për të kufizuar të drejtat e veteranëve është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me frymën e ligjeve që garantojnë respekt për sakrificën e tyre”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, OVL UÇK ka falënderuar Gjykatën Supreme për një vendimmarrje të drejtë dhe të guximshme, duke vlerësuar se ajo ka dhënë një mesazh të qartë për mbrojtjen e ligjshmërisë dhe respektin ndaj kategorive që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.