OVL-UÇK kërkon sqarime nga Presidentja Osmani për zgjatjen e mandatit të EULEX-it dhe Gjykatës Speciale
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) i është drejtuar me një letër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke kërkuar sqarime të detajuara lidhur me zgjatjen e mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në letrën zyrtare, OVL-UÇK kërkon të dijë nëse është marrë ndonjë vendim final për zgjatjen e mandatit të këtyre institucioneve për periudhën 2025-2027, siç është raportuar gjerësisht nga mediat evropiane dhe vendore. Po ashtu, organizata interesohet nëse ka pasur shkëmbim të ri letrash ndërmjet Presidentes Osmani dhe Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, znj. Kaja Kallas, lidhur me këtë çështje.
“Jemi të vetëdijshëm se në të kaluarën vendime të tilla janë formalizuar përmes shkëmbimit zyrtar të letrave ndërmjet Zonjës Osmani dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së,” theksohet në letër.
OVL-UÇK e thekson interesin e saj të drejtpërdrejtë në këtë proces, duke pasur parasysh se shumë nga bashkëluftëtarët e tyre ndodhen aktualisht në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë. “Duke qenë se shumë nga bashkëluftëtarët tanë ndodhen aktualisht në paraburgim në Dhomat e Specializuara në Hagë, ne si organizatë jemi drejtpërdrejt palë e interesuar në këtë proces,” përfundon letra.
Çështja e EULEX-it dhe Dhomave të Specializuara vazhdon të ketë një ndikim të madh politik dhe juridik në Kosovë, dhe vendimet për mandatin e tyre shpeshherë kanë pasoja të gjera në skenën politike dhe shoqërore të vendit.