OVL e UÇK-së: Interesimi i madh për protestë, dëshmi e përkushtimit për drejtësi
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e gjerë që ka marrë thirrja për protestën paqësore të paralajmëruar për 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në një komunikatë publike, organizata ka vlerësuar se reagimet e qytetarëve në rrjetet sociale dhe në forma të tjera janë dëshmi e vetëdijes qytetare dhe e përkushtimit për drejtësi.
“Falënderojmë të gjitha partitë politike që e kanë mbështetur publikisht protestën tonë, pjesëtarët e shoqërisë civile që janë bërë zë i arsyes, dhe mediat për hapësirën e ndershme dhe të balancuar që po i japin kësaj thirrjeje,” thuhet në deklaratën e OVL UÇK.
Sipas organizatës, protesta do të jetë paqësore dhe dinjitoze, duke shërbyer si shprehje qytetare kundër padrejtësive, siç i cilësojnë ata, që po u bëhen pjesëtarëve të UÇK-së në proceset e ndjekura nga Gjykata Speciale në Hagë.
Thirrja për protestë ka gjetur mbështetje të gjerë në opinionin publik, ndërsa OVL UÇK rithekson se qëllimi i saj është që përmes veprimit civil e institucional, të kërkohet respektim i dinjitetit të luftëtarëve të lirisë dhe një trajtim i drejtë në proceset gjyqësore ndërkombëtare.