OVL e UÇK-së: Gjithçka gati për protestën e së enjtes, qytetarët të bashkohen masivisht

06.08.2025

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbajtur sot një konferencë për media, ku kanë prezantuar të gjitha detajet për protestën e paralajmëruar që do të mbahet të enjten, më 8 gusht 2025, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Në konferencë, përfaqësuesi Gazmend Syla tha se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e protestës, duke përfshirë njoftimin e institucioneve përgjegjëse si Policia e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës, si dhe angazhimin e një ekipi mjekësor për raste emergjente. Ai njoftoi se janë organizuar edhe autobusë për të lehtësuar pjesëmarrjen e qytetarëve nga komuna të ndryshme.

Sipas Sylës, në protestë do të mbajnë fjalime profesoresha universitare Nevenka, Hysni Gucati – njëri nga organizatorët kryesorë të protestës, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti si dhe një familjar i një dëshmori.

Ai ftoi qytetarët të bashkohen në këtë protestë, e cila do të nisë në orën 17:00, për të dërguar një mesazh të qartë se ish-luftëtarët e UÇK-së nuk janë vetëm dhe se kanë mbështetjen e bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve.

Syla theksoi se përpara kësaj proteste, Organizata e Veteranëve të Luftës kishte zhvilluar një fushatë diplomatike duke iu drejtuar shumë institucioneve dhe figurave ndërkombëtare me ndikim. Megjithatë, siç tha ai, tani kanë kaluar në fazën e protestës publike dhe janë të gatshëm të vazhdojnë me organizime të ngjashme edhe në të ardhmen, për të qëndruar pranë bashkëluftëtarëve të tyre deri në ditën e gjykimit dhe më pas.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin lidhur me faktin se Gjykata Speciale së fundmi ka pranuar si dëshmi materiale nga tri institucione shtetërore të Serbisë. Syla tha se kjo është e papranueshme për organizatat e dala nga lufta, duke theksuar se këto institucione janë përfshirë në veprimtari kriminale dhe janë dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi. Ai paralajmëroi se kjo përbën një motiv shtesë për protesta të mëtejshme, duke akuzuar Gjykatën Speciale për përpjekje për të rishkruar historinë e shtetndërtimit të Kosovës.

Organizatorët thonë se janë në pritje të një reagimi ndërkombëtar lidhur me këtë çështje, por nëse një reagim i tillë mungon, ata paralajmërojnë vazhdim të protestave edhe në ditët në vijim.