Osmani takon presidentin kroat: Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar edhe një herë rëndësinë e aleancës së Kosovës me Kroacinë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.
Gjatë një takimi në Sofje me Presidentin kroat, Zoran Milanović, ajo e ka uruar për rizgjedhjen në këtë post, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën.
“Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale,” ka deklaruar Osmani, duke nënvizuar se raportet mes dy vendeve janë të bazuara në besim reciprok dhe bashkëpunim të ngushtë.
Ajo ka theksuar se përveç mbrojtjes, Kosova dhe Kroacia kanë një partneritet të fuqishëm edhe në ekonomi dhe fusha të tjera të rëndësishme, duke forcuar edhe më tej marrëdhëniet bilaterale.
“Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë,” ka përfunduar Presidentja Osmani.
Ky takim konfirmon edhe një herë përkushtimin e Kosovës për të forcuar marrëdhëniet me aleatët e saj strategjikë në rajon dhe më gjerë.