Osmani pritet me nderime ushtarake në Budapest – Vizitë për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Hungari

para 33 dite

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur një vizitë zyrtare në Hungari me ftesë të Presidentit hungarez, Tamás Sulyok.

Osmani pritet me nderime ushtarake në Budapest – Vizitë për forcimin e marrëdhënieve Kosovë–Hungari

Vizita u hap me një ceremoni të lartë shtetërore, përfshirë nderime ushtarake në sheshin Kossuth Lajos në Budapest, ku Presidentja Osmani u mirëprit nga homologu i saj.

Në një postim në Facebook, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e vizitës në funksion të avancimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Faleminderit për pritjen me nderime ushtarake në Budapest, President Sulyok! 🇽🇰🇭🇺 Një vizitë e rëndësishme për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Hungarisë, në dobi të qytetarëve tanë dhe në funksion të bashkëpunimit të ndërsjellë,” shkroi ajo.

Pas ceremonisë zyrtare, dy presidentët zhvilluan takim tet-a-tet, pasuar nga takimi zyrtar mes delegacioneve të të dyja shteteve. Në shenjë të thellimit të marrëdhënieve bilaterale, Presidenti Sulyok shtroi gjithashtu një drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin kosovar në pallatin presidencial Sándor.

Gjatë qëndrimit në Budapest, Presidentja Osmani do të takohet edhe me kryetarin e Parlamentit hungarez, László Kövér, ndërsa në agjendë përfshihet edhe një ligjëratë e veçantë në Universitetin Eötvös Loránd. Ajo do t’u drejtohet studentëve dhe stafit akademik me temën: “Kosova dhe e ardhmja e saj evropiane: Bashkëpunimi rajonal, angazhimi global dhe rruga përpara”, ku do të prezantojë prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës me theks të veçantë në integrimin euroatlantik.

Pjesë e rëndësishme e vizitës do të jenë edhe takimet me përfaqësues të odave ekonomike në Hungari, me fokus në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Etiketat

Ofertat e fundit