Osmani pret në takim lamtumirës ambasadorin gjerman Jörn Rohde

16.09.2025

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.

Gjatë takimit, presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Rohde për angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar gjatë viteve të shërbimit në Kosovë, duke theksuar se roli i tij ka qenë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Osmani ritheksoi se Gjermania mbetet një nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, duke vënë në pah rritjen e vazhdueshme të këtij partneriteti në fusha të ndryshme. Ajo nënvizoi veçanërisht rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, duke theksuar rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy vendeve.

Presidentja shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, si dhe për ndihmën konkrete përmes projekteve zhvillimore në sektorë të ndryshëm.

Në fund, Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë do të vazhdojë të thellohet edhe më tej në të ardhmen.