Osmani për formimin e qeverisë: Vendimi për thirrjen e seancës varet nga deputetët dhe Kryesia e Kuvendit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk mund ta parashikojë nëse Glauk Konjufca, i mandatuar për krijimin e qeverisë së re, do të arrijë ta bëjë këtë.
Foto: Ilustrim
Në një prononcim për gazetarët, Osmani ka theksuar se i mandatuari i dytë për kryeministër ka ende afat kushtetues dhe se zhvillimi i mëtejshëm varet nga deputetët e Kuvendit dhe Kryesia e tij, të cilët duhet të vendosin për thirrjen e seancës për zgjedhjen e qeverisë.
“Siç e dini, i mandatuari i dytë për kryeministër akoma është brenda afatit kushtetues dhe do të varet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe nga Kryesia e Kuvendit se kur do të ftohet seanca”, tha Osmani.
Presidentja ka shtuar se shpreson që seanca të thirret sa më shpejt të jetë e mundur, duke nënvizuar se ka mbetur vetëm pak kohë brenda afatit ligjor për formimin e qeverisë.
“Siç e dini seanca duhet të thirret brenda afatit kushtetues. Pra, kanë mbetur edhe pak ditë. Shpresoj që kjo të bëhet sa më parë që të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance. Mirëpo unë nuk mund ta paragjykoj”, ka thënë presidentja Osmani.
Deklarata e saj vjen në një moment kur vendi ndodhet në pritje të formimit të qeverisë së re, ndërsa partitë politike po përpiqen të arrijnë konsensus për të kapërcyer bllokadën politike.