Osmani nga Hungaria: Kosova e përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik, thekson rolin kyç të arsimit dhe miqësisë historike
Gjatë vizitës së saj zyrtare në Hungari, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti një fjalim të rëndësishëm para studentëve dhe profesorëve të Universitetit Eötvös Loránd.
Në këtë ligjëratë, Presidentja diskutoi prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës, duke theksuar marrëdhëniet dypalëshe me Hungarinë dhe rrugën e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.
Presidentja Osmani theksoi angazhimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik, duke riafirmuar përkushtimin e vendit për t’u bërë pjesë e plotë e familjes së shteteve euroatlantike. Ajo nënvizoi rëndësinë jetike të partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si gur themeli për garantimin e stabilitetit rajonal dhe sigurimin e paqes në hapësirën euroatlantike.
Në një nga universitetet më prestigjioze të Evropës Qendrore, Presidentja Osmani u ndal gjithashtu në rolin kyç të arsimit. Ajo e cilësoi arsimin si një urë lidhëse thelbësore ndërmjet popujve dhe si një themel të fortë për bashkëpunim afatgjatë. Me këtë rast, ajo shprehu falënderimet e saj ndaj institucioneve hungareze dhe posaçërisht Universitetit Eötvös Loránd për mbështetjen e vazhdueshme ndaj studentëve nga Kosova.
Duke kujtuar marrëdhëniet historike dhe miqësinë e hershme ndërmjet shqiptarëve dhe hungarezëve, Presidentja përmendi figurat e shquara historike, Gjergj Kastriot Skënderbeun dhe Janos Hunyadin. “Në shekullin XV, shqiptarët dhe hungarezët qëndruan krah për krah për mbrojtjen e qytetërimit evropian. Ishte një aleancë mbi vlera shpirtërore, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta si liria, identiteti dhe dinjiteti,” theksoi Osmani. Ajo shtoi se ky trashëgim frymëzues udhëzon për të ndërtuar partneritete që reflektojnë një vizion të përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të bashkuar.