Osmani mohon sulmet ndaj Kurtit: Kam kërkuar mbështetje për të në SHBA
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar ndaj kritikave lidhur me vizitat dhe deklaratat e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mohuar se ka folur kundër kryeministrit Albin Kurti në arenën ndërkombëtare.
Foto: Ilustrim
Në një intervistë për Kanal10, Osmani deklaroi se përkundrazi ka mbrojtur veprimet e institucioneve të Kosovës dhe ka kërkuar vazhdimisht nga zyrtarët amerikanë që t’i japin mbështetje kryeministrit Kurti.
“Kam kërkuar me ngulm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ta takojnë kryeministrin Kurti. Ju lutem t’ia jepni një shans, u kam thënë sa herë që kanë qenë të pakënaqur me të”, deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se pretendimet se ka shkuar në SHBA për ta sulmuar Kurtin janë të pavërteta dhe theksoi se çdo veprim i institucioneve të Kosovës është mbrojtur dhe arsyetuar nga ana e saj.
Osmani kritikoi edhe kundërshtarët politikë, duke thënë se “këto gjëra pas shpine i bëjnë ata”, ndërsa sipas saj, në publik po tentohet të krijohet përshtypja e gabuar për qëndrimet e saj ndaj kryeministrit Kurti.
