​Osmani: Familja Jashari është themeli mbi të cilën është ngritur liria e Kosovës

05.03.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se familja Jashari është themeli mbi të cilin është ngritur liria e Kosovës, duke i cilësuar ata si shembullin më të mirë se si duhet atdheu dhe liria. Këto komente ajo i bëri gjatë ceremonisë së rreshtimit të kuadrateve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për nder të 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Ishin shembulli më i mirë sesi duhet vendi e si duhet liria. Hamëz Jashari bashkë me Adem Jasharin dhe të gjithë familjen e tyre qëndruan të palëkundur në luftë duke dëshmuar se s’ka sakrificë më të madhe sesa flijimi për të ardhmen dhe flijimi për atdheun. Ato tri ditë të marsit, 5,6 dhe 7 mars të 1998 në Prekaz ndodhi një ndër betejat më heroike të kombit shqiptarë. Dëshmorë, përveç burrave u bën edhe fëmijët, gratë dhe pleqtë. Prekazi nuk ishte vetëm një fshat, por ishte një kështjellë e lirisë. Ishte një fortifikatë e pamposhtur e kombit tonë dhe i tillë mbetet edhe sot. Familja Jashari është themeli mbi të cilën është ngritur liria e Kosovës,” tha Osmani.

Ajo shtoi se Epopeja e UÇK-së na ka mësuar se asgjë nuk është e pamundur kur ka guxim për të qëndruar të bashkuar për idealin e lirisë. Prandaj, ajo theksoi se sot më shumë se kurrë duhet përbashkuar për të mbrojtur vendin.

Presidentja Osmani vlerësoi lart profesionalizmin dhe përkushtimin e FSK-së, duke theksuar se kjo ushtri, së bashku me Policinë e Kosovës, janë garanci për sovranitetin e vendit. “Kjo ushtri me profesionalizëm dhe përkushtim është gjithmonë e gatshme t’i dalë zot vendit. FSK-ja ashtu sikurse policia e Kosovës janë garanci për sovranitetit tonë. Një mburojë për paqen dhe sigurinë e qytetarëve tanë dhe një dëshmi se sakrifica e dëshmorëve të kombit nuk ka qenë e kot,” tha ajo.

Duke kujtuar betejën e Prekazit, Osmani theksoi se sulmi i gjerë i Serbisë në Drenicë, i përqendruar në Prekaz, e ngriti çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. “Në natën e 4 e 5 marsit të vitit 1998, Prekazi rrethohet nga forcat e shumta ushtarake dhe policore. Kjo lë të kuptohet se atje do të ketë rrethim të hekurt,” theksoi ajo.