Osmani: Aplikimi për BE mbetet në sirtarët e Brukselit – më me rëndësi të hyjmë në NATO

14.11.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar në një intervistë për “Politico” se procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian mbetet i bllokuar, dhe përparimi i vendit nuk po vlerësohet nga BE-ja, pavarësisht përkushtimit të vendit ndaj reformave dhe politikave pro-evropiane.

“Siç e dini, njerëzit e Kosovës nuk kanë shikuar nga ndonjë anë tjetër, kanë parë vetëm këtë rrugë, rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kosova nuk flirton me vende të tjera keqdashëse si Rusia, Kina e Irani, me trekëndëshin e së keqes”, u shpreh Osmani.

Ajo shtoi se meritat e Kosovës në reformat ekonomike, sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit e korrupsionit, si dhe përputhshmëria me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së, shpesh nuk vlerësohen dhe duken si të mirëqena.

“97% e qytetarëve janë pro-evropianë, por duket sikur procesi i bazuar në meritë, për të cilin BE-ja flet aq shumë, mbetet diçka që duhet të vijë. Unë ende nuk e shoh të ndodhë”, theksoi Osmani.

Presidentja gjithashtu foli për aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat, duke theksuar se ai ende nuk është shqyrtuar.

“Ne nuk po kërkojmë bamirësi, nuk po kërkojmë rrugë të shkurtër, po kërkojmë respekt për punën që bëjmë dhe pranimin e reformave që ne ndërmarrim. Aplikimi ynë është në sirtarët e Bashkimit Evropian që nga dhjetori 2022, dhe tani jemi pothuajse në dhjetor 2025, por nuk po ecën përpara”, tha Osmani.

Megjithatë, ajo vlerëson se integrimi në NATO është më i rëndësishëm për sigurinë e vendit, duke theksuar se anëtarësimi në këtë aleancë do të garantonte stabilitet dhe siguri në rajon.

“Integrimin në NATO e shoh më të rëndësishëm se atë në BE. Të jesh në NATO do të thotë se je i sigurt”, tha Osmani.