Organizatorët e protestës së 13 dhjetorit në Shkup: Do të kërkojmë lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

09.12.2025

Organizatorët e protestës së planifikuar më 13 dhjetor në Shkup kanë njoftuar se përmes një tubimi paqësor do të kërkojnë lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët, sipas tyre, po mbahen padrejtësisht në Gjykatën Speciale në Hagë.

Xhavit Jashari, nga OVL-UÇK, ka deklaruar se kjo gjykatë, përmes bashkëpunimit me Prokurorinë serbe, po tenton të njollosë luftën e drejtë të UÇK-së.

“Qëllimi ynë i vetëm është të kërkojmë drejtësi dhe të solidarizohemi me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët që padrejtësisht po mbahen në Gjykatën Speciale. Ne do t’i adresojmë kërkesat tona të drejta dhe të ligjshme, dhe ajo kryesore është që të kërkojmë që krerët të lirohen”, tha Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së.

Ndërsa Bujar Dardhishta, nga Këshilli Organizativ i protestës në Shkup, tha se nuk presin të kenë probleme për të marrë leje për mbajtjen e tubimit.

Organizatorët bëjnë apel që protesta të jetë paqësore dhe theksojnë se kjo është një mënyrë për të kërkuar drejtësi dhe solidaritet për ish-krerët e UÇK-së.