Orav: BE dhe SHBA duhet të vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka shprehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian të vazhdojnë të punojnë së bashku, duke theksuar se bashkëpunimi i tyre ka rezultuar në suksese të mëdha.
Foto: Ilustrim
Në një intervistë për Klanin, Orav tha se shpreson që bashkëpunimi i ngushtë mes BE-së dhe SHBA-së të vazhdojë, duke kujtuar kohën kur punonte në Maqedoninë e Veriut, ku bashkëpunimi i përditshëm me ambasadorin amerikan ishte thelbësor.
“Natyrisht! Shpresa jonë është të vazhdojmë të punojmë ngushtë siç kemi bërë deri më tani. Më kujtohet koha kur punoja në Maqedoninë e Veriut, ku bashkëpunonim çdo ditë me ambasadorin amerikan,” tha Orav.
Ai theksoi se kur SHBA-ja dhe BE-ja punojnë së bashku, arrihen suksese të mëdha, duke përmendur krijimin e qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut si një shembull konkret të këtij bashkëpunimi të frytshëm.
“Ditët e mia në Kosovë janë shumë të ngarkuara. Kur shkoj në shtëpi, hap telefonin dhe shoh se gjatë muajve të fundit kemi qenë përballë shumë befasive. Nëse e ndiqni çka po ndodh në botë, besoj se nuk do të ketë më surpriza,” shtoi Orav, duke reflektuar mbi dinamikat e ndryshueshme të situatës politike.