Opozita kritikon Qeverinë e Kosovës për buxhetin e vitit 2023: Nuk është zhvillimor, varfëron qytetarët

17.11.2022

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së enjte ka prezentuar Projektbuxhetin për vitin 2023, ku ka thënë se ky do të jetë buxheti më i lartë i prezantuar deri më tani. Albin Kurti ka thënë se për vitin e ardhshëm janë paraparë shtim të pozitave të reja të punës në inspektorate. “Buxheti për vitin […]

Opozita kritikon Qeverinë e Kosovës për buxhetin e vitit 2023: Nuk është zhvillimor, varfëron qytetarët Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së enjte ka prezentuar Projektbuxhetin për vitin 2023, ku ka thënë se ky do të jetë buxheti më i lartë i prezantuar deri më tani.

Albin Kurti ka thënë se për vitin e ardhshëm janë paraparë shtim të pozitave të reja të punës në inspektorate.

“Buxheti për vitin 2023 do të jetë 3 miliardë e 212 milionë euro, kurse të hyrat buxhetore do ta arrijnë vlerën e 2 miliardë e 884 milionë euro. kemi ndarë 745 milionë euro në kategorinë e pagave dhe mëditjeve, 493 milionë euro në mallra dhe shërbime, 1.93 miliard euro në subvencione dhe transfere dhe 811 milionë euro në shpenzime kapitale”, tha Kurti.

Ai ka shtuar se për vitin 2023 janë shtuar 248 pozita të reja për çerdhet.

Ndërsa, sa i përket bujqësisë dhe sigurisë, Kurti tha se janë rritur ndjeshëm buxhetet e këtyre sektorëve.

“Buxheti i sivjetmë për bujqit është 87 milionë euro. Kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë dhe kemi rritur buxhetin për blerjen e armatimit për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet të jetë buxheti për Ministrinë e Mbrojtjes”, tha Kurti.

Sipas tij, është buxhetuar ndërtimi i disa rrugëve në vend.

“Ketë vit po e përmbushim premtimin që t’i përfshijmë të gjithë fëmijët nën moshën 16 vjeçare në skemën për fëmijët, ku kemi ndarë 60 milionë euro. Janë buxhetuar rrugët, duke përfshirë rrugën Prishtinë-Pejë dhe ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë”, tha ai.

Në fund, Kurti tregoi se me ndihmën e Bashkimit Evropian janë ndarë 75 milionë euro për ta përballuar krizën energjetike.

E lidhur me këtë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demoktraike e Kosovës kanë pasur kritika mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku është shprehur se Projektbuxheti për vitin 2023 nuk është zhvillimore dhe i varfëron qytetarët e vendit.

Ndërsa, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa ka theksuar se buxheti real për vitin 2023 është 2.6 miliardë euro e jo 3.2 miliardë euro aq sa pretendon Qeveria.

Mustafa në seancën e Kuvendit të Kosovës është shprehur se Ministria e Financave po tenton të bëjë shkelje kushtetuese lidhur me ndarjet buxhetore për komunat.