Nxënësit ende pa libra, ​komunat kërkojnë nga MASHTI ta përmbushë detyrën ligjore

10.10.2021

Për këtë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, po e hedh fajin te komunat, ndërkaq këto të fundit po kërkojnë nga ministria që t’i përmbushë detyrën ligjore për pajisje të nxënësve me libra. Kritika për vonesën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore kanë edhe prindërit, të cilët thonë se kjo vonesë vetëm sa […]

Nxënësit ende pa libra, ​komunat kërkojnë nga MASHTI ta përmbushë detyrën ligjore Foto: Ilustrim

Për këtë Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, po e hedh fajin te komunat, ndërkaq këto të fundit po kërkojnë nga ministria që t’i përmbushë detyrën ligjore për pajisje të nxënësve me libra.

Kritika për vonesën e furnizimit të nxënësve me tekste shkollore kanë edhe prindërit, të cilët thonë se kjo vonesë vetëm sa po e vështirëson procesin mësimor edhe ashtu problematik për shkak të pandemisë.

Rreth mungesës së librave për nxënësit e klasave të gjashta, shtata dhe të nënta, ministria e Arsimit ua ka hedhur fajin komunave, duke thënë se ata kanë qenë të njoftuar qysh në shtator se nuk do të ketë libra të ri dhe se për këto klasë do të përdoren librat e vitit paraprak.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë për KosovaPress se Ministria e Arsimit në bazë të legjislacionit në fuqi është përgjegjëse për furnizimin e nxënësve me libra shkollor.

Ai thotë se në katalogjet që kanë mbushur DKA-të, kanë njoftuar ministrinë se sa nxënës nëpër klasa mund të pajisen me tekste dhe për sa nxënës ka mungesë të librave.

Sipas tij, është e pakuptimtë që ministria fajëson komunat për këtë çështje.

“Të gjitha drejtoritë komunale i kanë mbushur këto shënime në katalogun e cila i është dërguar ministrisë në mënyrë elektronike dhe është sistemi ku në mënyrë automatike dërgohen të dhënat në Ministrinë e Arsimit dhe aty shihet saktë se sa nxënës nëpër klasa mund të pajisen me tekste shkollore dhe për sa nxënës ka mungesë të librave shkollor.

Do të thotë ministria ka qenë e njoftuar dhe këtë ua ka kërkuar komunave. Pastaj problemi është që kjo është e rregulluar me një udhëzim administrativ ku thuhet që librat apo tekstet të barten nga gjenerata në gjeneratë, por problemi është që nuk mund ta obligosh një nxënës t’i kthej librat… Të gjitha këto janë të faktuara, të argumentuara nga drejtoritë komunale të Arsimit dhe të gjitha këto shënime janë dërguar në ministrinë e Arsimit dhe për këtë arsye ministria është dashur të mendojë rreth kësaj, do të thotë nuk mund t’ua vejë fajin komunave për neglizhencën e vet”, thotë ai.

Ibrahimi deklaron se komunat janë përgjegjëse vetëm për shpërndarjen e teksteve që marrin nga niveli qendror dhe se nuk kanë faj pse ministria nuk i ka furnizuar qind për qind me libra./KosovaPress/